Si kudo, edhe në xhamitë e Sarandës pritet nisja e muajit të Ramazanit, agjërimi i së cilit është një ndër shtyllat e besimit në Islam.
Për një muaj rresht, agjëruesit privojnë veten nga disa utilitete, ku bazë është ushqimi, e kjo për një kohë të caktuar të ditës, që nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje.
Edhe pse privim, i bazuar në besim, ky muaj konsiderohet si me një përjetim të veçantë shpirtëror, gati të pakrahasueshëm.
Në këtë muaj, besimtari obligohet të pastrohet nga shumë aspekte që kanë cenuar besimin e tij, si dhe ta përsos sa mundet këtë besim.
Në xhaminë qëndrore të Sarandës, si dhe në të tjera rreth e rrotull nëpër zonë, janë dhjetra besimtarë të rinj, sidomos të moshës së re, të cilët do agjërojnë për herë të parë. Ndërsa shumë të tjerë agjerojnë prej vitesh.
Ata thonë se mbeten gjithnjë të përmalluar për Ramazanin dhe mezi e presin atë.
Myftinia Sarandë uron të gjithë besimtarët që ta kalojnë lehtshëm këtë muaj dhe të vjelin prej tij të gjithë begatitë e Zotit. /sarandacity.al/