Parlamenti votoi pro legalizimit të kanabisit për arsye mjekësore, vite pasi kjo u kërkua nga ish-deputeti Koço Kokëdhima, tashmë larg politikës.
Ishte periudha post-Lazarat kur i fuqishmi i Jugut atë kohë nga pushteti hodhi idenë e legalizimit të kanabisit, kundërshtuar fuqishëm nga ministri i Rendit i kohës, Saimir Tahiri. Rama nga ana e tij e refuzoi më qetësisht, duke argumentuar se nuk ishte koha për diçka të tillë.
Ndërsa për Tahirin, ishte thjesht një e keqe që nuk duhej të kishte vend në Shqipëri qoftë dhe për arsye të lejuara. Cinikisht, ky ministër do akuzohej për afera kanabisi duke përfunduar madje dhe në burg.
Por vite më parë qeveria ndryshoi qasje, duke thënë se po mendonte legalizimin e kanabisit e se për këtë duhej pyetur populli. Populli u pyet në ato sondazhet e famshme e tejet të diskutueshme dhe tani, nën një klimë edhe më të rënduar mosbesimi ndërshqiptar, kanabisi mund të kultivohet lirshëm, siç thuhet për arsye mjekësore, por sigurisht jo nga çdokush dhe me kritere shumë të rrepta.
Çështja është se as në këtë rast nuk ofrohet ndonjë model suksesi nga bota për t’u marrë si shembull.
Nga ana tjetër, Lazarati mund të konsiderohet dështim në disa terma. Më kryesorja ajo që prodhonte ekonomi por jo krim si tani.
Nga Lazarati përfitonin të gjithë, pa bilanc kriminal. Ndërsa nga kanabizimi i tanishëm me “Lazarat” ngado përfitojnë vetëm një grusht njerëzish super të kriminalizuar që të heqin qafe.
Për efekt të ardhurash në treg, ngjashëm si me Lazaratin, as që bëhet fjalë. /sarandacity.al/