Pas një vere spektakolare për brigjet shqiptare dhe turizmin e vendit të shqiponjave, me mijëra janë derdhur drejt “Air Albania”-s në fundin e dhjetëditëshit të parë të shtatorit, ndërsa Adriatiku dhe Joni u kanë mbetur thuajse krejtësisht të huajve. Një stadium luksoz, “Air Albania” simbolizon urinë e re të vendasve për të gjetur suksesin dhe në futboll, tani të pasfiduar dhe prej disa nga përfaqësueset ballkanike, një herë e një kohë me emër në kontinent e më gjerë. Pasuesit e ish-jugosllavëve, serbët, bullgarët, rumunët apo grekët, janë veç hije e vetvetes, pa shkëlqimin dhe yjet e dikurshëm, ku përjashtim të vetëm përbëjnë kroatët, të udhëhequr nga Luka Modriç, mesfushori në fund të karrierës i Realit të Madridit. Terreni ku u luajt finalja e parë e një aktiviteti europian të shpikur së fundi nën ethet e industrializimit total të futbollit, Ligës së Konferencës, e ka fituar prej kohësh betejën me kundërshtarët (përgjithësisht politikë dhe për politikë) e ndërtimit të tij, që të ulur në ndenjëset e rehatshme të tribunës qendrore e kërkojnë sërish protagonizmin duke vështruar më tepër ngjyrën e fytyrës së kryeministrit sesa topin tek shkon në rrjetë për skuadrën e tyre, me shpresën se te gjatoshi ekzemplar do të gjejnë diçka për ta sulmuar.
Shtatë vite pas pjesëmarrjes së parë së përfaqësueses së Shqipërisë në një Europian, njëmbëdhjetëshja me bluzat në ngjyrat e flamurit kombëtar është shumë pranë kthimit te finalet e së njëjtit aktivitet, në turneun e 2024-s. Kundër një tradite të gjatë dhe statistikave shkurajuese, djemtë e kombëtares ia kanë dalë të kenë sukses në dy ndeshje tepër të vështira brenda pak ditësh. Kanë barazuar në Pragë me Çekinë pas një disavantazhi disaminutësh dhe kanë fituar pastër në Tiranë ndaj Polonisë. Dhe për çudi, janë treguar skajshmërisht klinikë në lojë; goditës dhe shënues në momentet e duhura, të pjekur dhe të aftë për të mos pësuar në minutat e fundit, a thua se nuk kanë asgjë të përbashkët me një formacion historikisht të brishtë dhe të thyeshëm kurdo.
Me vetëm një humbje në pesë ndeshje, me një barazim dhe tre fitore, Shqipëria kryeson grupin E të eliminatoreve dhe ka mundësi mëse reale për kualifikim. Ndeshjet e tetorit dhe nëntorit do të vendosin gjithçka, por do të ishte një e papritur e madhe nëse fati i kuqezinjve do të merrte një kthesë të atillë sa t’i linte jashtë festës së futbollit europian në Gjermani. Ata presin Çekinë në tetor, pasuar në nëntor nga një transfertë e vështirë në tokën moldave dhe takimi i fundit, si nikoqirë me Ishujt Faroe. Optimizmi i kësaj here është më i përligjur se ngaherë, mbështetur e ushqyer nga paraqitje profesionistësh të vërtetë. Përveç se kanë ditur të shprehen mirë në fushë dhe të mos e humbasin toruan dhe në momente të vështira, protagonistëve të deritanishëm duhet t’u njihet dhe merita e një kompaktësie në grup; ambienti pozitiv dhe humori i mirë mes lojtarëve kanë rol në rezultatet e mira, e njëkohësisht janë kushtëzuar prej tyre, në një marrëdhënie simbiotike.
Çelësin e hedhur në detin e dështimeve në dekada dhe me të cilin është hapur porta e suksesit, fillimisht në 2016-n, dhe në këto eliminatore, e ka nxjerrë nga thellësitë dhe e mban devotshmërisht drejtuesi kryesor i FSHF-së, një De Laurentiis shqiptar, jo domosdoshmërisht i pëlqyer nga masa, por me nuhatjen e duhur për të bërë zgjedhjen më të mirë në çaste delikate. Duka me buzëqeshje i ka dhënë fund dinastisë së teknikëve italianë, përzgjedhur po prej tij, dhe nga fundi i një tuneli pa dritë i ka premtuar së pari vetes mes dilemash të pazëshme, dhe natyrisht dhe publikut, një horizont të shndritshëm, ku goal-i si objektiv dhe goli si realizim është krejt i dukshëm. Guximi në zgjedhje i ka dhënë të drejtë: Sylvinho ka shkuar në pak muaj përtej shumë pritshmërive!
Përkundër kritikuesve të shumtë për qëndrimin e gjatë në detyrë, Duka ngjan i kënaqur me arritjet e veta dhe me një pamje e sjellje babaxhani u përgjigjet qetësisht pyetjeve për çka e pret përfaqësuesen në muajt e ardhshëm, pa e fshehur triumfin personal, veç pa ekzaltim të tepruar. Njohës i mirë i befasive të futbollit, ai ka këmbëngulur në këto ditë entuziazmi popullor për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për ta bërë me kujdes hapin e radhës.
Të njëjtën buzëqeshje dhe të njëjtën maturi e ka dhe e ruan dhe braziliani në stolin e kombëtares, vendimtari në këtë sukses. Ish-lojtari i Arsenalit dhe Barcelonës i ka fituar shumë shpejt zemrat e shqiptarëve, ndonëse në fillim të këtij viti pak besonin se ai do ia dilte të linte gjurmë në kombëtaren e përgjumur.
Me një profil njerëzor për t’u patur zili dhe me ide të qarta për lojën, karizma e 49-vjeçarit ka qenë thelbësore për të ringjallur dëshirën për fitore te lojtarët dhe dashurinë për kombëtaren te mbështetësit e saj. Askush nga jashtë nuk e di me siguri se ç’ndodh brenda dhomave të zhveshjes, ama fakt është se ka atmosferë të jashtëzakonshme te të grumbulluarit e tij, të aktivizuar dhe të paaktivizuar. Mourinho e quan të pamundur kënaqjen e të tërë lojtarëve, por Sylvinho duket se ka arritur pikërisht t’i kënaqë të gjithë e të mos bëjë asnjë të ndihet i lënë mënjanë.
Ende në fillimet e karrierës si trajner, ai ngjason disi me Arteta-n e Arsenalit, mjeshtër në trajtimin e lojtarëve, në krijimin e një ambienti fitues dhe në transmetimin e ideve për lojë të bukur e rezultative. Si asnjë tjetër paraardhës, përkushtimi i tij për detyrën është fenomenal, vërtetuar me vendimin për të qëndruar në Tiranë e për ta kryer që këtej punën. Pa asnjë mundësi për të eksperimentuar dhe për ta parë formacionin në një miqësore, ai e nisi fushatën eliminatore me një humbje minimale në mars në Poloni, për të marrë hak ndaj së njëjtës skuadër tani në shtator. Në njëmbëdhjetëshen me disa ndryshime nga ajo ndeshje e parë e tij dallon si mrekulli e vet një gjetje në Korenë e Jugut! Jasir Asani ia ka shpërblyer në mënyrën më të mirë atij që i dha besim dhe e thirri në kombëtare në moshën 28 vjeç.
Mes të tjerëve, Asllani dhe Bajrami kanë gjetur veten falë zgjedhjeve të Sylvinho-s, deri dje lënë si të përçmuar në stol, me minuta të pamjaftueshme në fushë për ta shfaqur potencialin e tyre. Me të njëjtin besim dhe shprehje të vullnetit të mirë, braziliani nuk hoqi dorë prej një debutuesi si Daku, të sulmuar pas barazimit në Pragë për një pasim të gabuar. Sulmuesi i dha shpejt të drejtë trajnerit për aktivizimin me një gol alla Lukaku ndaj polakëve. Dhe për t’u habitur, falë një seleksionimi të mrekullueshëm, mungesat e Kumbullës dhe Brojës pothuajse janë të pandjeshme. Filozofia e lojës, kujdesi deri në detaje për aspektet taktike dhe teknike janë elementet dalluese te Sylvinho, me të njëjtën vëmendje të kushtuar dhe anës njerëzore, trajtimit mjeshtëror të lojtarëve.
Sylvinho është sot i vetmi brazilian në stolin e një ekipi përfaqësues europian. Fat apo thjesht zgjedhje njerëzore e përkryer, sa mirë për kuqezinjtë që e kanë! Njeriu i duhur për një brez futbollistësh që e meritojnë të shkojnë në Europian. Falë Sylvinho-s dhe këtyre lojtarëve, për Shqipërinë do të ketë ç’të thuhet dhe kur në ditë të freskëta e të ftohta vjeshte e dimri të mos jenë deti e rëra shkak për ta lëvduar. /sarandacity.al/