Prej vitesh, në një prej rrugëve kryesore të Delvinës, në krah të trotuarit ndodhet një humnëre artificiale, produkt i papërgjegjshmërisë njerëzore, që për fat, deri më tani, nuk ka shkaktuar ndonjë tragjedi gjithashtu njerëzore.
Nga mungesa e një pengesë në formë parmakësh, aty krejt lehtësisht mund të bjerë ndokush.
Poshtë ndodhet një terren i degraduar ferrishtesh e fitilash hekuri, të cilat do shërbenin për një ndërtim që nuk është bërë.
Si i tillë, aty është një gropë, e cila veç anës estetike, për të cilët duhet thënë se nuk ka ndonjë ndjeshmëri të madhe, në Delvinë apo kudo në Shqipëri, ekziston rreziku që ajo të thithë aksidentalisht ndonjë jetë njerëzore, edhe pse diçka e tillë nuk ka ndodhur fatmirësisht deri më tani.
Nëse ndodh, por mos qoftë e thënë, pengesat do viheshin menjëherë.
Por mund të vihen që tani dhe e mirë do qe ta vinte ai qe e ka lënë atë ndërtim aty të pabërë, duke lënë njëherësh një gropë të frikshme.
Kështu dhe edukohet ai që ndërton mbi atë që prona e tij private në një hapësirë publike, është deri diku dhe e publikut. /sarandacity.al/