Italianët kanë qenë turistët që kanë vizituar më së shumti Shqipërinë këtë verë që po lëmë pas.
Rreth 660 mijë sosh mësohet se kanë kaluar pushimet në vendin tonë. Në raport me një vit më parë, numri i turistëve italianë u rritën me 50 përqind për periudhën janar-gusht, duke përbërë kështu 9.1 përqind të totalit.
Vendin e parë megjithatë e kanë shqiptarët e Kosovës, të cilët vijojnë të jenë më besnikët.
Këta të fundit përbëjnë 40 përqind të totalit të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë deri në gusht me një shifër prej 2.93 milionë ndërkohë që në raport me një vit më parë kemi një rritje me 17 përqind.
Sa i takon vendit të tretë, janë të ardhurit nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Megjithatë midis tyre janë dhe emigrantët si dhe shqiptarët nga trojet e tjera shqipfolëse në rajon.
Në periudhën janar-gusht, 511 mijë vizitorë erdhën nga Maqedonia e Veriut, me një rritje 8 përqind në raport me një vit më parë. Kurse nga Greqia rritja në tetë mujorin e 2023 është me 39 përqind, dhe kanë hyrë rreth 450 mijë vizitorë. Grupe që kanë shënuar rritje të dukshme janë gjermanët, spanjollët por edhe turistët nga Turqia.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i turistëve të huaj për muajin gusht ishte mbi dy milionë duke pësuar një rritje me 18.3 përqind, ndërsa për periudhën tetë mujore janar-gusht, numri i vizitorëve të huaj është 7.2 milionë duke pësuar një rritje me rreth 27 përqind. /sarandacity.al/