Një shqiponjë e kryëqyzuar në jug të Shqipërisë ka aktivizuar Policinë lokale për ta gjetur autorin e kësaj masakre zoologjike.
Shpendi që përbën dhe një simbol kombëtar, është pikasur duke vuajtur si Krisht në Buhal të Përmetit, derisa është liruar e çuar te veterineri.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, i shkojnë në ndihmë një shpendi (shqiponjë) që ishte keqtrajtuar në fshatin Buhal, rast për të cilin Policia u njoftua nga shtetasja S. L.
Vijon puna për identifikimin e shtetasit që ka plagosur dhe ka lidhur shpendin, në një portë, me qëllim balsamosjen të gjallë.
Rasti, me një impakt të lartë publik në rrjetet sociale, u vlerësua me seriozitet dhe menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e këtij krimi që parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 207/c i Kodit Penal.
Shpendi (shqiponja), aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri që ata hasin. Reagimi ndaj të gjitha denoncimeve do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjeve”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Tashmë pritet të dihet se kush ka qenë autori i këtij akti ndëshkimor biblik ndaj një shpendi me tipare krenare dhe arsyet që e kanë çuar deri në këtë pikë.
Pra, ka qenë një trill aventuroz apo ndonjë hakmarrje, si fjala vjen, shqiponja i ka ngrënë ndonjë pulë. /sarandacity.al/