Himariotë, vuniotë, piluriotë e borshiotë të shunicës që vetidentifikohen shqiptarë dhe të pakicës që vetidentifikohen grekë iu përgjigjën një ftesë të hapur për t’u bashkuar në shëtitoren e Himarës, për një bisede publike mbi botimin studimor “Beteja për 20 përqindëshin”.
Bido theksoi se popullsia greqishtfolëse e tri fshatrave të zonës arrin në 19%, por numri i të vetidentifikuarëve si “grek” përllogaritet në shifrën 14,5%. “Në këtë zonë janë tri fshatra greqishfolëse, Himara fshat, Dhërmiu dhe Palasa, por nuk janë minoritare për një arsye shkencore. Sepse kanë tradita dhe doke të njëjta me Labërinë bregase. Ka popullsi 19% greqishtfolëse, por jo të gjithë janë grekë. Prej tyre, 14,5% janë me vetidentifikim grek. Kjo është analiza që bëj në libër dhe më vjen mirë që studiues të shumtë, shqiptarë dhe grekë, bien dakord në këtë pikë.”, u shpreh Bido.
Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se përmes nacionalizmit politik tentohet të prodhohet një 20 % i paqenë, që do të kishte implikime politike afatgjata. “Ka një lëvizje politike që bën betejë per arritjen e 20%. Kjo lëvizje tenton të prodhojë artificialitet, një gënjeshtër. Është produkt politik, pasi kemi një ligj që do bënte që nga Llogaraja në Qafë Botë, të kishim tabela dygjuhëshe, flamuj greke, shkolla dygjuhëshe. Struktura nacionaliste të shtetit grek, e kanë tërhequr politikën e shtetit grek për të prodhuar politika me implikime afatgjata. Nëse ndodh artificialiteti, do të prodhonte si efekt, që së pari ne do jemi në varësi të një shteti fqinj dhe aleat, që është Greqia. Dhe më kryesorja, do prishte kohezionin e komuniteteve të këtushme që jetojnë në harmoni, do përçante njerëzit që jetojnë vëllazërisht.”, tha Bido.
Në përmbyllje të diskutimin, të pranishmit zhvilluan një debat të gjerë, nisur nga keqinterpretime publike mbi këtë studim. “Unë bëra një ftesë të hapur pikërisht për këtë debat. Më vjen mirë që më kanë ardhur himariotë, piluriotë, vuniotë, borshiotë, nga Çorraj. Më vjen mirë që erdhët me të tjera mendime, me mendimet që tentuan nacionalistët politikë për të përçarë, duke deformuar deklaratat e mia në mënyrë të strukturuar në rrjetet sociale dhe po e mbyllim duke rënë dakord.”
Më tej, në fjalën e marrë, studiuesi Kristo Çipa vlerësoi bazën shkencore të botimit dhe apeloi për ta lexuar duke lënë mënjanë emocionet. “Ju falenderoj për këtë libër me baza shkencore. Edhe për ballafaqimet në këto zona dhe në televizione. Ne jemi të interesuar që këto studime të jenë mbi baza shkencore dhe jo mbi emocione. Është hera e parë që po bëhet një debat i hapur mbi këtë çështje. Dua që të lexohet ky libër me gjakftohtësi.”, tha intelektuali.
Pas pritjejeve në Delvinë, në Sarandë dhe në Himarë, turi i prezantimeve do të vijojë dy ditët e ardhshme në Vlorë dhe në Konispol, një prej qyteteve që qendron në fokus të trajtesës së këtij botimi studimor.