Autoritetet turke njoftojnë arrestimin e Dritan Rexhepit, shqiptarin e shndërruar në legjendë prej famës si koka e një karteli ndërkombëtar droge, me emrin e së cilit lidhen shumë ekzekutime mafioze në Shqipëri e gjetkë. Në Shqipëri, rrëmbimi dhe ekzekutimi i Jan Prengës thuhet se u urdhërua prej tij.
Ai njihet si kreu i kartelit të drogës me emrin “Kompanio Bello”, i cili kërkohej me Njoftim të Kuq dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Europë.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya ndau detajet e operacionit në X, duke i dhënë peshë të madhe këtij arrestimi të bujshëm.
Thuhet se ai kishte hyrë në Turqi nga një prej aeroporteve të Stambollit me një pasaportë kolumbiane në emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Ai u kap gjatë operacionit të koduar si “Karteli” në Beylikdüzü, Stamboll. /sarandacity.al/