Një tjetër kryebashkiak socialist mund të lërë detyrën, pasi rezulton me një njollë penale nga e kaluara e tij, gjë të cilën e ka mbajtur të fshehur. Nuk është fjala për akte kriminale, por për një lloj paligjshmërie, ajo e kalimit të kufirit paligjshmërisht, për të cilin ka marrë një dënim.
Fjala është për njeriun që qeverisë Kuçovën, Kreshnik Hajdari.
Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin e tij dhe ka dorëzuar në KQZ rezultatet.
Hajdari rezulton të ketë qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë.
“Në aktet e administruara dhe konkretisht referuar vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me Nië Anëtar, me Nr. 3286/23-6-1999 rezulton se:
Në prani të të pandehurve …14) Hajdari Kreshnik, i biri i RIZA dhe i HALIME, i lindur më 29-7-1982 në Berat, Shqipëri, puntor (i bashkëgjykuar i mitur), Gjykata shpall fajtor secilin nga personat madhorë të përgjegjshëm penalisht dhe shkaktar sejcilin nga personat e mitur të përgjegjshëm penalisht (“ka kryer një vepër”) për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse (shkelje e nenit 4 §§ 1 dhe 3 te Ligjit 1975/1991).
Veprimet u konstatuan në Despotiko të Prefekturës së Janinës, më 23 Qershor 1999 në orën 02:30. Dënon secilin nga personat madhorë penalisht të pandehur, të shpallur fajtor me: Katër (4) muaj burgim.
Dënon secilin nga të pandehurit e mitur të shpallur fajtorë me: Masa riedukuese e qortimit.
Konverton në dënime me gjobë të gjitha dënimet me burg të vendosura tashmë më sipër të pandehurve të dënuar (të gjithë) dhe përcakton shumën e konvertimit për çdo ditë burgim në njëmijë e pesëqind (1500) dhrahmi.
Urdhëron dëbimin e menjëhershëm të të gjithë të pandehurve madhorë të huaj të dënuar me burg dhe më tej, pezullon për një kohë të pacaktuar (sipas nenit 90 parag.2 të Kodit Penal) dënimin me burg të dhëna ndaj tyre, me kusht që të ekzekutohet menjëherë dëbimi i tyre tashmë i urdhëruar”.
Tashmë do jetë KQZ që do të vendosë nëse Hajdari do të vijojë detyrën si kryebashkiak apo Bashkia e Kuçovës do të hyjë në zgjedhje të reja. Gjithnjë nëse ai nuk dorëhiqet vetë. /sarandacity.al/