Me një ikje fizike dritash që u përjetua si romantike, Galeria Saranda, ajo artit figurativ në shëtitore, shënoi një tjetër moment domethënës me një tjetër ekspozitë imponuese në mbi 10 vitet e rrugëtimit të saj të suksesshëm.
Një sërë veprash ikonike të autorëve më në zë të pikturës dhe skulpturës shqiptare, të asaj me prodhimtares të para viteve ’90-të, janë tashmë në muret e asaj hapësire që është shndërruar në pararojë të jetës aristike në qytet, falë të superzellshmit Lefter Çeko.
E veçanta është përzgjedhja e tyre: Nga Bregu dhe Jugu(Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet), duke e bërë kështu më tërheqëse dhe në planin informues, mbi të gjithë ata emra rreth dhe afër nesh që i kanë dhënë tonin pikturës dhe skulpturës shqiptare në vite.
Ndaj jo më kot, kuratorja e ekspozitës, kritikja më e njohur e artit figurativ shqiptar, Suzana Varvarica Kuka, e ka quajtur dhe si një projekt edukativ, pasi një ekspozitë e tillë është përzgjedhur dhe për t’ju ofruar si info brezit të ri, nxënësve të shkollave, të cilët pothuajse nuk kanë asnjë njohuri mbi artin figurativ të së djeshmes në Shqipëri, veprat dhe autorët.
Për brezat e rritur, shumë prej veprave që janë ekspozuar dhe në Galerinë Saranda, janë shumë familjare. Por për brezat e rinj jo.
Ndërkohë, kritikja Suzana Varvarica Kuka potencoi vlerën e tyre artistike si të papërsëritshme, duke mos pranuar t’i shenjojë ngushtësisht si punë të realizimit socialist.
Ato u krijuan në kohën e kësaj rryme zyrtare të regjimit, nën një imponim ideologjik, si dhe lëmitë e tjera të artit të saj kohe, por jo domodoshmërisht bartnin ideologji, ku dhe nëse bartnin, vlerat artistike kalëronin mbi fabulat ideologjike. Dhe mu për këtë, këto vepra mbeten vërtet ikonike, të cilat janë produkte të një plejade mjeshtrash ndoshta të papërsëritshëm.
Një emër i ri në kritikën e artit figurativ shqiptar, Olsi Lasku, është drejtuesi i këtij projekti, i cili duke u shpalosur në Sarandë në formën e kësaj ekspozite, i bën një nder qytetit dhe shpirtit të saj artistik. /sarandacity.al/