Muzeu i Akropolit në Greqi hapi një ekspozitë ku paraqitet ena e famshme e lashtë greke e vitit 420 para Krishtit, e njohur si “Meidias Hydria”, e cila iu dha hua nga Muzeu Britanik.
Ekspozita u hap në një kohë kur mosmarrëveshja midis Greqisë dhe Britanisë së Madhe po intensifikohet për çështjen e kthimit të skulpturave të lashta greke nga Partenoni, të cilat ndodhen në Muzeun Britanik, raporton AP.
Kryeministri britanik Rishi Sunak së fundmi anuloi një takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis dhe e akuzoi atë se kishte thyer premtimin e tij për të mos përmendur publikisht zgjidhjen e problemit “të përjetshëm” dypalësh kulturoro-diplomatik.
Sunak tha se qeveria e tij nuk ka ndërmend të rihapë çështjen ose të ndryshojë ligjin që ndalon kthimin e objekteve.
Në Britaninë e Madhe nga shekulli i 18-të
Muzeu Britanik ka konfirmuar se po vazhdon bisedimet me autoritetet greke dhe Muzeun e Akropolit, duke i dhënë Athinës shpresën se mund të arrihet një marrëveshje për të ekspozuar skulpturat në Greqi.
Drejtori i muzeut, Nikolaos Stampolidis, tha se institucioni që ai drejton mban një “marrëdhënie të shkëlqyer” me Muzeun Britanik dhe shprehu besimin e tij se skulpturat nga Partenoni përfundimisht do të kthehen.
Kana, e cila konsiderohet kryevepra e poçarit athinas Meidias, u gërmua në Itali dhe u soll në Britaninë e Madhe nga diplomati britanik William Hamilton në vitet 1860. Muzeu e bleu atë në 1772 dhe nuk e huazoi kurrë.
Kana do të jetë e ekspozuar në Athinë deri në prill, kur do të transferohet në Paris, qyteti pritës i Lojërave Olimpike 2024, ku do të ekspozohet në Muzeun e Luvrit. /sarandacity.al/