Berishizmi opozitar, pjesa tjetër e një PD-je tashmë të përçarë, ka prodhuar Vojo Kushin modern. Ai është Ervin Salianji, i cili me një heroizëm politik të pashoq u ngjit mbi karriget e Kuvendit të bëra grambull, si një formë lufte me mazhorancën. Dhe ashtu siç Vojo thuhet t’u ketë futur një të sharë vënçe nga ato më vulgaret në fjalorin shqiptar, fashistëve në tank, njëherësh duke jua hedhur granatën mbi kokë, edhe deputeti trimosh që ndryshe është dhe leksiondhënës universitar, ka sharrë po aq rëndomësisht me fjalor rruge.
Janë këto skena që vijojnë prej javësh në parlamentin shqiptar, ku një grupim politik i ashtuquajtur “Rithemelimi”, ose ndryshe PD-ja berishiste, nën një lloj frustrimi të rëndë politik, me pretendimin se mazhoranca po ia mohon të drejtat, ka zgjedhur variantin e çartur të të bërit politikë duke bllokuar zhvillimin normal të seancave me forma të papara deri më sot, deri dhe me ndezje zjarresh në sallë, përpos tymueseve, të cilat kanë për autor nammadhin e çartjes politike, Flamur Noka.
Kujtojmë se kjo lloj anarkie tipike e majtë po prodhohet nga ata që vetëkonsiderohen të djathtë. /sarandacity.al/