Në Shqipëri është sot festë zyrtare – Dita Kombëtare e Rinisë, dedikuar nisjes së lëvizjes dhjetoriste në 1990-ën, kur nga godinat e Qytetit Studenti do dëgjoheshin thirrjet e para antikomuniste, me shkak ikjen e dritave. Muaj më parë, në kulmin e verës, në fillim të korrikut, kish ndodhur hapja e ambasadave me ikjen e afro pesë mijë shqiptarëve, pak më pas në tetor, Ismal Kadare do trondiste regjimin duke kërkuar azil në Francë. Pra dy ngjarje që do i paraprinin rebelizmit studentor, ndodhur nën efektin e rënies së Murrit të Berlinit dhe disa regjimeve komuniste në Lindje.
Nga aty do vinte shpallja e pluralizimit dhe themelimi i të parës parti opozitare, PD-së, te Godina 15.
Por 8 Dhjetori nuk ka qenë festë deri në 2009-ën, kur u shpall e tillë nga PD në zenithin e saj në qeverisje, në kuadër të një lufte me PS-në në opozitë, për ta bërë këtë të fundit të ndihej e frustruar për të kaluarën e saj puniste.
Ishte periudha e një nxehtësie politike, me PS-së që kërkonte hapje kutish dhe me PD-në që s’pranonte, pas zgjedhjeve të qershorit të atij viti, kur kjo e fundit kishte siguruar me sforco dhe një mandat të dytë qeverisës në një aleancë me LSI-në.
Kështu, duke e kontekstualizuar këtë datë në funksion të luftës politike, Berisha shpalli 8 Dhjetorin si festë kombëtare dhe ç’prej atëherë ka mbetur e tillë. PS-ja që morri pushtetin në 2013-ën e ka lënë pa e ngacmuar, pa e vënë në diskutim, paçka arsyes fillestare se pse, kundër saj. Kjo dhe nga fakti që PS pretendon të ketë pjesën e saj në lëvizjen dhjetoriste, me kreun Edi Rama që asokohe ishte një prej figurave më imponuese të antikomunizmit studentor.
Dhe sakaq, ndërsa PS është sot në zenith të pushtetit, PD ka shkuar në kufijtë e vetëasgjesimit. /sarandacity.al/