Të shtunën pasdite, salla e Bashkisë së Sarandës u shndërrua për gati një orë në një mini “La Scala”, me tingujt e muzikës klasike, nën interpretimet e talentit sarandiot në violonë, Martin Xuxi. 16-vjeçari që studion në Londër, dha një koncert instrumental i shoqëruar nga pianistja gjirokastrite Mimoza Çabeli.
Ky ishte i pari koncert i djaloshit Xuxi në Sarandëm qytetin e tij të lindjes, pas dhjetra koncerteve të dhëna në skena të tjera, në Shqipëri apo jashtë, shoqëruar me dhjetra çmime. Ishte një sallë përplot që e ndoqi Martin Xuxin në interpetimet e tij virtuoze dhe e duartrokiti furishëm përgjatë një ore.
Kujtojmë se Martin Xuxi është brezi i katërt i një familjeje të lidhur me muzikën. Ndaj, një prej pjesëve në reportor, “Valët e Danubit”, u interpretua nga një treshe familjare ku ai pati në krah të atin Genti Xuxi po në violinë dhe gjyshin Kostaq Xuxi në firzamonikë.
Koncerti, titulluar “Violina në duart e mia”, ishte ndoshta eventi më i bukur kulturor i Sarandës kohëve të fundit.
I njëjti koncert pritet të mbahet dhe në datën 12 prill në skenën gjirokastrite, pasi qyteti i gurtë është një pjesë e qenësishme e formimit muzikor të Xuxajve ndër vite. Një prej çmimeve madje, Martin Xuxi do e merrte pikërisht në Kala, pak vite më parë. /sarandacity.al/