Çdo shkrim deri dje në median e shkruar kalonte në filtrin fundor të një korrektori gjuhësor. Fjala vjen, Shekulli pati ndër vite Kadrie Kadarenë, të motrën e shkrimtarit të njohur, në rolin e një rojtare të paepur të gjuhës, një skrupuloze e pashembullt e shqipes. Por tashmë, duke lexuar edhe gjuhësisht mediat online, sado emër të madh të kenë, pra ndryshe nga surrogatot që janë me qindra, është e qartë se aty nuk ka më dorë korrektori. Një shembull për këtë mungesë ulëritëse, sa dhe nevojë ulëritëse, e has te titulli i mësipërm, mes qindrave të tillë në nivele katastrofike. Dhe është te një media që mban një emër prestigjoz dhe në arenën ndërkombëtare.
Dy 2-sha në vend të dy “dy”-shave, është njëherësh dhe epidemia e tmerrshme që ka kapluar të gjithë tekstet dhe titujt në median e shkruar, pra atë online që sundon sot, ku aty ku numrat duhen shkruar me gërma ofrohen me numra, gjë që as syri s’e pranon, pasi nuk e pranon as estetika gjuhësore e shqipes. Më pas janë padija e thellë se ku duhet e ku nuk duhet presja apo pika, pra injoranca në shenjat e pikësimit. Në rastin konkret, titullit i mungon një presje e panegociueshme pas “Policia e Sarandës”. Kjo jo domosdoshmërisht e bën gazetarin ose gazetaren të paaftë profesionalisht, pasi jo domosdoshmërisht mund të posedosh edhe kulturë gjuhësore në zejen e të shkruarit gazetaresk.
Ama, që një shkrim – kronikë klasike, reportazh, opionin a tjetërçka – të mos ketë një filtër gjuhësor, për më tepër në media me emër të madh, kjo është e pafalshme. Ndaj ndodh që media të tilla, ose dhe ato që posedohen nga emra të njohur në gazetari, nuk sheh të bëjnë aspak diferencë me ato që kanë pas lumpenë shoqërorë, të cilët deri dje as në ëndrrat më të çartura nuk e kishin menduar se një ditë do zotëronin portale. /sarandacity.al/