Shqipëria dhe Kroacia luajtën një 90-minutësh të çmendur dhe njëkohësisht dramatik, zbavitës dhe në të njëjtën kohë për të vënë duart në kokë.
Dy ekipet ballkanike dhanë një shfaqje që përmbante shumë nga ajo që mund të prodhojë një ndeshje futbolli.
“Në këtë Europian ka patur shumë ndeshje argëtuese, dhe kjo është midis më të mirave të tyre”, lexohet në përmbledhjen që BBC i bën sfidës së grupit B.
Shtënia e Qazim Laçit në formacionin e nisjes së lojës ishte një zgjedhje fantastike e brazilianit Sylvinho në stol, e dëshmuar vetëm 11 minuta pas bilbilit të parë, kur dibrani 28-vjeçar do të dërgonte me kokë në rrjetën kundërshtare një top të futur mjeshtërisht në zonë nga Asani.
Uvertura e kuqezinjve vijoi me një kreshendo 45-minutëshe, e ekzekutuar mjeshtërisht dhe së cilës i mungoi vetëm pak gjë për të marrë tone të paharrueshme. Ata nuk arritën të finalizojnë siç duhet në të paktën dy apo tre raste, që do t’u kishin dhënë shifrave tjetër pamje.
Pjesa e dytë, për fat të keq, ishte një përsëritje e miqësores me Azerbajxhanin. Me terren të lënë plotësisht kroatëve, pësimi i një goli dukej thjesht çështje kohe. Dhe, fatkeqësisht, të shoqëruar dhe me një autogol atëherë kur erdhi.
Kroacia as do ta kishte menduar pas kësaj se trepikëshi do t’i ikte nga duart, por një që ua njeh mirë qoshet, Arbër Hoxha i Dinamos së Zagrebit, edhe pse i futur shumë vonë në lojë, do të ndizte fitilin e shqiptarëve të fikur.
Fundi i ndeshjes të linte pa frymë, frenetik në ritëm dhe në kaos, por, fatmirësisht këtë herë, era fryu për kuqezinjtë, që jo vetëm gjetën barazimin me anë të Gjasulës, të njëjtit futbollist që kishte shënuar autogolin, por edhe mund të kishin shënuar në një tjetër rast të krijuar e të shpërdoruar marrëzisht.
Për të qeshur apo për të qarë, aq emocionuese dhe pështjelluese qe loja dhe mënyra si përfundoi, sa paaftësisë për t’u koordinuar e për të menduar me logjikë të ftohtë nuk i shpëtoi as gazetari në terren që intervistonte futbollistët, ndërsa ajetin kur’anor se, “pas vështirësisë vjen lehtësimi”, ia citoi Gjasulës në intervistë si një “shprehje”…!!!
Pas shijes së çuditshme të lënë nga kjo ndeshje, rezultati 2-2 është në thelb një gjëegjëzë: përfaqësuesja e Shqipërisë fitoi një pikë apo humbi dy? /tesheshi.com/