Vazhdojnë punimet e qendrës së grumbullimeve të mbetjeve të riciklueshme në Volloder.
Në prani të zonjës Christine Koenig, drejtore e projektit DKTI-2 dhe kryebashkiakut të Sarandës Adrian Gurma, është përuruar nisja e punimeve për këtë investim në janar të këtij viti, që mundësohet nga GIZ.
Qendra do të shërbejë për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, më tej me presimin e tyre dhe bërjen të gatshme për tregun e përpunuesve.
Mbetjet e riciklueshme, që do të grumbullohen e përpunohen në Volloder do të jenë kryesisht plastikë, letër e karton, kanaçe alumini, mbetje të vajërave ushqimorë, mbetjet elektronike, që kanë mundësi për t’u ricikluar nga industria përpunuese vendase.
Projekti parashikon vendosjen e koshave të dedikuar në shkolla, në sheshe e shetitore, pranë marketeve të pikave të ndryshme turistike.
“Kemi identifikuar mbi 100 biznese, kryesisht restorante, lokale dhe markete që prodhojnë më shumë mbetje, për të bashkëpunuar me ta që të vendosim koshat e duhur pranë biznesit të tyre, me qëllim ndarjen dhe grumbullimin në burim të mbetjeve të riciklueshme”, është shprehur Bledi Dimo, ekspert pranë kompanisë GIZ. Kjo kompani ka vënë në dispozicion dhe një kamion për të bërë grumbullimin e këtyre mbetjeve.
Ndërtimi i Qendrës së Grumbullimit të Mbetjeve të Riciklueshme në Sarandë pritet të përfundojë në fund të muajit prill.
Para dy ditësh është shtruar rruga që lidh këtë qendër grumbullimi me rrugën kryesore.
Ndriçimi i rrugës është pjesë e punimeve të cilat do t’i kryejë Bashkia Sarandë.
Pritet që në fund të këtij muaji të përurohet kjo qendër. /sarandacity.al/