Të “armatosur” me shkopinj selfie dhe telefona, turistët vërshojnë në Santorini nga të gjitha anët – me varka gome, me linja të mëdha oqeanike, me autobusë që ecin dredha-dredha përgjatë shpateve të pjerrëta, apo dhe mbi gomarë përgjatë rrugëve të ngushta prej guri.
Disa e përballojnë nxehtësinë e pasdites për të gjetur një vend të mirë mes shtëpive të zbardhura dhe kishave me kube blu, ku më pas presin me orë të tëra për të parë perëndimin e lavdishëm të diellit në ishullin grek. Ndërsa dielli perëndon, shumë bashkohen me ta, duke u grumbulluar përballë shkëmbinjve ose ballkoneve, kamera gati për të shkrepur.
Për shumë prej 20,000 banorëve të përhershëm të Santorinit, ishulli dikur idilik i fshatrave të bukur dhe plazheve të pacenuara është shkatërruar nga turizmi masiv.
Ndërsa protestat kundër numrit të tepërt të turistëve shpërthejnë në destinacione të tjera turistike të njohura, duke përfshirë Venecian dhe Barcelonën, Santorini është megjithatë një nga shembujt më të qartë se si turmat e vizitorëve mund të ndikojnë në një vend.
Autoritetet në ishull janë bashkuar me pikat e tjera të nxehta turistike duke kërkuar një kufizim në numrin e vizitorëve.
Një numër në rritje i turistëve të huaj – rreth 3.4 milionë – vizituan ishullin vitin e kaluar, sipas kryebashkiakut Nikos Zorzos – duke ushtruar presion mbi infrastrukturën e vjetër të tij dhe duke i larguar banorët e ishullit nga tregu i pasurive të paluajtshme.
Zorzos thotë se ai ka këmbëngulur për vite me autoritetet që të mos lejojnë qoftë dhe një shtrat të vetëm shtesë në ishull, si dhe ka propozuar kufizimin e numrit të vizitorëve nga anijet turistike në 8,000 në ditë, nga rreth 17,000.
“Është në interesin më të mirë të vendit tonë që të ketë një kufi,” tha ai, sipas Reuters.
Muchas gracias. ?Como puedo iniciar sesion?