Një numër rekord i rasteve të mashtrimit të mundshëm dhe etiketimit të gabuar të vajit të ullirit është regjistruar në tremujorin e parë të vitit në Bashkimin Evropian, teksa çmimi i “arit të lëngshëm” galopon në më shumë se dyfishin e niveleve të vitit 2018, me prodhimin e goditur nga moti ekstrem.
Ndërsa çmimi është rritur, po ashtu është rritur edhe numri i “njoftimeve ndërkufitare të BE”, të cilat përfshijnë etiketime të gabuara, mashtrime të mundshme dhe raste sigurie që përfshijnë vajra të falsifikuara.
Në tremujorin e parë të 2018, BE regjistroi vetëm 15 raste të tilla. Numri u rrit në 50 në tre muajt e parë të 2024. Ky është një numër rekord dhe një rritje më shumë se trefish, sipas shifrave të cituara nga Guardian.
Megjithatë, këto raste janë vetëm ato të zbuluara dhe të raportuara nga shtetet anëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të BE-së për Shëndetësinë. Ky numër nuk përfshin rastet e brendshme dhe shkalla e vërtetë e mashtrimit është ndoshta shumë më e lartë, siç thekson gazeta britanike.
Raportet përfshinin vajra të kontaminuar me substanca të pamiratuara si pesticide apo vajra minerale.
Ka pasur gjithashtu shumë raste kur vaji i ullirit ekstra i virgjër është konstatuar i falsifikuar, për shembull duke e përzier me vajra me cilësi më të ulët ose më të lirë, raste kur vaji i ullirit i virgjër është etiketuar si ekstra i virgjër dhe disa raste të etiketimit me origjinë mashtruese ose të rreme.
Nga 182 njoftime për mashtrim dhe mospërputhje të vajit të ullirit të dërguara në BE që nga fillimi i vitit 2023, 54 kishin të bënin me produkte nga Italia, 41 nga Spanja dhe 39 nga Greqia.
BE-ja prezantoi rregulla të reja për kontrollet e pajtueshmërisë së specifikimeve të marketingut të vajit të ullirit, si dhe metodat e tij të analizës, në korrik 2022.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se numri më i lartë i njoftimeve në sistem nuk tregon një rrezik të shtuar për konsumatorët. “Numri më i lartë vjetor i raportuar i njoftimeve është një dëshmi e shkëmbimeve më të mira të autoriteteve kompetente të Shteteve Anëtare dhe vigjilencës së tyre kundër mashtrimeve në zinxhirin agro-ushqimor.
Komisioni ka zero tolerancë për mashtrimin. Me synimin për t’u ofruar konsumatorëve vaj ulliri të cilësisë së mirë në BE, Komisioni organizon seminare vjetore dhe promovon bashkëpunimin midis vendeve të BE-së për të siguruar zbatimin e saktë të këtyre kontrolleve dhe për të siguruar shkëmbimin e informacionit përkatës për ata që punojnë në sektorin e vajit të ullirit”. /sarandacity.al/