Kush punon në bashki do të marrë nga 20 deri në 40 për qind më tepër në pagën e tij. Nga 93 mijë lekë aktualisht, punonjësi i pushtetit vendor do të marrë mesatarisht 111 mijë e 600 lekë në rastin më të keq dhe 130 mijë e 200 lekë në atë më të mirë. Shkalla e rritjes së pagave bruto për punonjësit e 61 bashkive u miratua në parim në mbledhjen e së hënës së Këshillit Konsultativ, Qeverisje Qendrore-Vendore.
“Është një kërkesë e vazhdueshme e qeverisjes lokale për të bërë një balancim dhe pse jo një barazim të nivelit të pagave të specialistit në nivel vendor me specialistin në nivel qendror. Kjo për arsyen se shumë bashki vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore. Pra kanë thirrje për vende të ndryshme vakante, por nuk kanë aplikime”, tha për A2 CNN Adelina Farrici, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore.
Veç rritjes së pagave me qëllim sheshimin e hendeqeve, punonjësit e bashkive në vijim do të trajtohen njësoj si kolegët e tyre që punojnë në ministri edhe në drejtime të tjera. “Përllogaritje e vjetërsisë në punë do të bëhet si në nivel qendror pasi deri më tani ka qenë diskriminuese. Gjithashtu do të bëhet barazimi i specialistëve, pavarësisht numrit të popullsisë në bashkinë ku ata punojnë”, tha Farrici.
Të paktën sipas dokumentit paraprak, qeveria do të mbështesë bashkitë duke mbuluar pagën minimale të punonjësve. “Ne kërkojmë që të ketë fond pak më të lartës e sa mbulimi i pagën minimale pasi ka shumë bashki që nuk arrijnë dot ta përballojnë me vetëm fondet e veta”.
Nga rritja e pagave do të preken edhe kryetarët e 61 bashkive që do të ketë një formulë tjetër përllogaritje nga ajo që është aplikuar, deri më tani.
Detajet pritet të publikohen pasi Ministria e Financave dhe qeveria të aprovojnë faturën financiare që do të sjellë rritja e pagave për afro 37 mijë punonjës të administratës lokale. /A2 CNN/