Në të majtë të segmentit nga Shën Vasili e deri në Lukovë, një sy i vëmendshëm kap gjurmë godinash të gurta mes ullishtesh, si të ishin shtëpi çamësh të djegura nga forcat zerviste, duke e shuar tërësist jetën e atyshme. Po, ashtu është. Me ndryshimin se nuk ka qenë një fshat çam, por Bregu. Jo musliman, por ortodoks. Nuk i ka djegur Zerva, por një sishok i tij në Breg.
Është Ardit Bido, në betejë me vorioepiriotët politikë kësaj ane, i cili shkruan:
“A e di ti se Hundëçova e Himarës, djegur prej Spiromilos, nuk ekziston më?
A ke parë rrugës mes Shën Vasilit e Lukovës disa rrënoja shtëpish përbri rrugës kryesore? Ajo është Hundëçova, një fshat patriotik shqiptar, që sot nuk ekziston më dhe fiset e atij fshati janë zhvendosur në Shën Vasil dhe Lukovë.
Spiromilo i vjetër (mercenar një herë i Aliut e më vonë i revolucionit grek) e dogji Hundëçovën dhe e la shkrumb e hi, sepse në ndryshim nga sa thotë sot vorioepirotizmi, feja ortodokse e banorëve të Shën Vasilit, Hundëçovës e Lukovës ishte edhe më armike për kalendat e nacionalizmit politik grek që nuk pranon dot shqiptarë ortodoksë patriotë, siç gjithë shqipfolësit e bregut ishin e janë edhe sot.
Hundëçova nuk ekziston më edhe pse qëndron si rrënoja në një vend të bukur të Shqipërisë, mes flamujve kuqezi që mbulojnë Shën Vasilin e Lukovën ku hundëçovasit sot jetojnë shqiptarisht si përhera”.
Më herët, po Bido shkrojti:
“A e di ti se Borshi origjinal i Himarës u zhvendos disa kilometra më poshtë pasi e dogji shkrumb e hi Spiromilo?
Borshi na duket sot në majë të kodrës teksa kalojmë nga rruga mes përmes fshatit dhe shohim detin në distancë. Mirëpo, ky fshat është ai i pas vitit 1914, kur u detyrua të zhvendosej teksa Borshi origjinal, që është disa kilometra më lart në malin nga soditet deti, u dogj shkrumb e hi nga andartë vorioepirotistë, kryesisht kretanë, me në krye Spiromilon.
Fotografia më sipër është e asaj kohe, por edhe sot, nëse shkon lart në mal, gjen gjurmët e shkatërrimit rë Borshit të vjetër, kur u vranë disa dhjetra shqiptarë vetëm pse donin që jugu i Shqipërisë të mos shkëputej nga Atdheu, siç vorioepirotistët tentonin. Sot, fotografia e Spiromilos mirë që nuk ka sy, se do habitej si deputetë shqiptarë bëjnë paradë nën të, ndërkohë që lart, në Borshin origjinal, nuk kanë shkelur kurrë”.