Gerti Bogdani, ish-deputet demokrat, u nda nga jeta papritur pasi pësoi arrest kardiak teksa gjendej në kafenenë e Hotel Rogner.
Pas këtij lajmi të hidhur, si për politikën e si për shoqërinë shqiptare, vërshuan ngushëllimet e shumta, madje dhe nga kundërshtarë politikë.
I pari qe Berisha, i cili, epror politik i të ndjerit, duke thënë:
“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”.
Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij, duke shkruar në rrjete:
“Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”.
“Eshte shokuese, miku im prej vitesh Gerti Bogdani, deputet i Partise Demokratike, ish kryetar i FRPD nje njeri me cilesi te vecanta njerezore nderroj jetë. Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe. Zoti i dhëntë forcë Edlirës dhe fëmijëve, prindërve dhe vëllait të Gertit në këtë moment shumë të vështirë.
Prehu në paqe miku im pranë Zotit që ti besoje aq shumë”,-shkruan Fatmir Mediu.
“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes”, u shpreh ish-presidenti Ilir Meta.
“I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit, ngushëllime bashkëshortes dhe familjes. U prehtë në paqe!”, shkruan kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë Gerti Bogdani. Një zë frymëzues në politikën shqiptare, në mbështetje të të rinjve dhe profesionistëve. U prehsh në paqe, Gerti!”, shkruan Niko Peleshi.
“Nuk mund të ketë fjalë të duhura ngushëllimi për ikjen tënde të parakohshme Gert Bogdani. Thjesht, pusho në paqe!”, shprehet Mimi Kodheli.
“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.
Po kush ishte i ndjeri prej disa orësh Gert Bogdani?
Gerti Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe Medalje Ari, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua edhe aty me Medalje Ari.
Më pas u rikthye në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në një universitet privat në Tiranë. Ai ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 në Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjatë kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD-së.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani kandidon në zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë, kur ishte vetëm 29-vjeç.
Në vitet 2010 ai ka qenë një nga të rinjtë më premtues në Partinë Demokratike, duke patur një aktivitet të vrullshëm politik dhe si drejtues i FRPD-së.
Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.
Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023.
Gert Bogdani ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe ishte babai i dy fëmijëve.
Kujtojmë se kjo është e dyta vdekje tronditëse në PD në afro një dekadë, pas asaj të Sokol Olldashit në aksident në 2013-ën. /sarandacity.al/