Një shtëpi private te Rruga e 5-të, panorama që ke përballë s’ka nevojë për shumë fjalë, shto këtu një bahçe me perime bio dhe pula të rritura vetë-mrekullia vetë.
Shumë prej të rinjve do të thonë: po ç’thua, jo bahçe, jo perime, po kush ka nerva për këto?
Ndërsa shumë pensionistë që jeta e qytetit i kufizon në ballkone apo shtëpi me dritare katrore ja dinë mirë vlerën kësaj lirie e sidomos në një qytet turistik.
Me diellin që ngroh çdo ditë e më shumë, ecja apo vrapi i mbasdites na sjell rreth e rrotull qytetit. Kujt i ka rënë vrapi nga Rruga e 5-të ka parë një bahçe të vogël të “qëndisur” kaq bukur me dorë.
“Ne jemi pensionistë, çdo mbasdite shplodhemi duke punuar ndopak këtu”, mburret me krenari të madhe i moshuari teksa na tregon se si e kalon ditën e tij.
Zonja është më e ndrojtur dhe thotë se i pëlqen të punojë dhe të heqë mendjen duke u marrë me këtë bahçe.
Po se keni parë, kini mendjen kur kaloni aty, e nëse i shihni një përshëndetje i bën të lumtur.
Ju lumshin duart! /sarandacity.al/