Përshëndetja e Kryepeshkopit Janullatos me rastin e Pashkëve, kësaj here ka qenë një ndërthurrje e ligjërimit klasik dogmatik me atë pandemik, në zbërthimin e fenomeneve negative sociale.
“Ngjallja shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen, planet tinëzare dhe pasionet vdekjeprurëse: mbi smirën, gënjeshtrën e mbi të gjitha mbi urrejtjen me variantet e saj të shumëllojta, mbi kujtimin e së keqes, hakmarrjen, djallëzinë, të cilat janë të pranishme në të gjitha epokat dhe në të gjitha shoqëritë. Urrejtja e infekton jetën e njerëzve në familje, jetën fetare dhe politike; ajo infekton marrëdhëniet midis kombeve dhe, për pasojë, prodhon konflikte të paparashikueshme.
Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet. Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë”, shprehet Janullatos.
“Por nuk mjafton që ne të çlirohemi personalisht nga efektet anësore të urrejtjes”, vijoi kleriku i lartë ortodoks, duke thënë më tej se “është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes”. /sarandacity.al/