Në 1 korrik 2021 pritet të hyjë në fuqi ligji i ri i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Siç raporton Shqiptarja.com, Neni 8 i këtij ligji konsiderohet më i rëndësishmi dhe me më impakt për drejtuesit e mjeteve.
Për herë të parë, parashikohet që vlera e siguracionit të makinës do të përcaktohet nga historiku i sjelljes në rrugë, i aksidenteve dhe i dëmeve të drejtuesit të mjetit. Kush ka një historik të pastër dhe pa dëme të shkaktuara, ose dëme modeste, do të paguajë më pak.
Pronarët e mjeteve që kanë një historik problematik me aksidente, ku për rrjedhojë intensifikohen me risk të lartë, do të paguajnë tarifë më të lartë për siguracionin vjetor të makinës.
Ky sistem i ri që do të aplikohet quhet “bonus-malus” dhe përcakton e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm të mjetit motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Sistemi duhet të zbatohet nga shoqëritë e sigurimit që lëshojnë dokumentin e sigurimit vjetor.
Sipas ligjit, shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të të siguruarve certifikatën e historikut të dëmeve, kur ta tarifojë për sigurimin e mjetit. Pra, çdo drejtues mjeti, do të pajisjet edhe me historikun e tij të sjelljeve në rrugë. /sarandacity.al/