Në pamje të parë të jep përshtypjen e një turisti klasik, nga ata me tipologji të veçantë pamore, interesantë e të lezetçëm.
Por kjo ndjesi të lëkundet sapo sheh që, në shëtitore çdo natë, teksa nis të këndojë dhe aspak cilësisht, me stonime tejet të bezdisshme për veshin, kërkon me ngulm para.
I kërkon jo në emër të ndonjë arti të madh që ofron, por, sipas një letre të shkruar shqip, ngaqë endet prej vitesh. Deri më sot nuk është parë që, teksa ke zgjedhur të endesh si aventurier e jo të punosh, duhet me patjetër të shtrish dorën, edhe pse je pa asnjë cen fizik e për më tepër në moshë të re.
I kërkon jo thjesht se ka vënë tasin para vetes, porse e bën këtë dhe me gjeste, duke fërkuar gishtat me simbolikën e njohur. As kjo nuk është parë te ata që pretendojnë se ofrojnë art në rrugë.
Po kush është ky lloj turisti, i cili shpalos dhe një rënie në dashuri me vendin tonë përçuar nga një shall kuqezi vënë mbi supe?
Me një anglishte të çalë, gjithashtu dhe ndonjë fjalë shqip tek-tuk, i bishtonin si emrit e si identitetit të saktë. Thotë se quhet Aleks, madje se ka dhe një anije me të cilën ka ardhur në Sarandë. Pra, zotëron anije por lyp(!).
Dyshimet janë se mund të jetë nga vendet ballatike, Lituani apo Letoni. Por kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që njerëzit të mos gënjëhen nga gjasme një turist i lezetçëm, pasi mund të jetë një mashtrues ordiner, i cili jeton padenjësisht duke lypur e marrë njerëzve para. Të tillë nuk kanë ç’i duhen Sarandës!
Edhe nga fakti artistik që këndojnë keq, shumë keq. Aq keq sa prej kësaj lindin dhe dyshimet e mëdha! /sarandacity.al/
https://youtu.be/TOv1XUrJCCk