Në qytetin e Sarandës, rritja e çmimeve nuk po njeh kufi, shkruan Monitor në një rezyme mbi çmimet në të gjithë bregdetin shqiptar në prag të këtij sezoni.
“Çmimi maksimal i apartamenteve të reja pranë detit ka arritur deri në 4,000 euro/m² nga 3,000 euro/m² një vit më parë. Eron Çumani, njohës i tregut të shitblerjes së pronave për bregdetin, drejtues i agjencisë imobiliare Saranda Invest Property, tha për Monitor se rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve te ndërtimet e reja është rritur me 17% krahasuar me 2020.
Arsyet e ndryshimit të çmimeve, sipas tij, janë rritja e kostos të ndërtimit nga taksat. “Çmimi i shitjes për ndërtimet e reja në Sarandë aktualisht nis nga 1,200 euro/m² për prona në vijën e parë dhe arrin deri në 2,500 euro. Ka edhe prona të reja që në varësi të vendndodhjes, apo sipërfaqes së banimit, me çmim 3,000 – 4,000 euro/m². Çmimi mesatar i shitjes është rritur në të gjitha objektet e reja.
Ndër faktorët kryesorë të rritjes së çmimit është shumëfishimi i taksave për përfitimin e lejes së ndërtimit dhe më pas rritja e kostos së ndërtimit dhe e vlerës së pronës. Për pasojë, vlera e apartamentit për kosto ndërtimi ka arritur 800 – 900 euro m² plus 300 – 400 euro/m² që llogarit çdo investitor fitimet e tij”.
Për shkak të çmimeve të larta, kërkesa për apartamente është e ulët thotë drejtuesi i agjencisë Saranda Invest Property. “Problem është mosfinalizimi i shumë kontratave. Shtetasit e huaj që kërkojnë të blejnë apartamente në Sarandë priren edhe nga informacioni që përcillet për gjetje të pronave me çmime të arsyeshme.
Në fazën e shqyrtimit të pronës, çmimi i kapërcen pritshmëritë e tyre dhe shumica tërhiqen nga blerja, pasi me këto çmime ka vende shumë atraktive, të cilat funksionojnë mbi bazën e tregut dhe jo se sa para i nevojiten investitorit. Në tregun ndërkombëtar, prona kuotohet në bursë. Ka tavan të përcaktuar për zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe ndryshimin e çmimeve të shitjes. Me këto çmime të apartamenteve, ne konkurrohemi edhe nga vendet e rajonit, pasi ka zona më atraktive me çmime më të lira dhe standarde të larta në investim”.
Në Sarandë, kërkesa për blerje apartamentesh mbizotërohet nga shtetasit e huaj, kryesisht çekë dhe polakë. “Në 80% të rasteve, kërkesa për apartamente është nga shtetas të huaj, 10% është kontingjent i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, 10% të kërkesës e përbëjnë shqiptarë të diasporës, ndërsa vendasit e kanë pamundur të blejnë një shtëpi. Ata nuk mund të përfitojnë kredi, pasi për shkak të pandemisë, bankat kanë forcuar kriteret për kredinë”, pohon z. Çumani, raporton Monitor. /sarandacity.al/