Mbushet sot 80 vjet qyshse piqerasioti Vasil Llaçi qëlloi ndaj Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Emanueli i III-të, teksa ai po largohej nga rruga e Durrësit për në aerodromin e Laprakës pas mbarimit të vizitës së tij në Shqipëri, por pa e vrarë dot.
Gazetari i Dossier-it Dashnor Kaloçi ka sjellë dëshminë e rrallë të 90-vjeçarit Genc Koka me banim në SHBA, babai i të cilit, kolonel Sami Koka, ish-shef Shtatmadhorisë së Mbretit Zog, e kishte pranuar djaloshin nga Piqerasi si shërbyes në shtëpinë e tij që ndodhej në fund të Rrugës së Kavajës, pas rekomandimit që i kishte bërë miku i tij i ngushtë, Dr. Mokini, që shërbente si mjek pranë Mbretit Zog.
Sipas Genc Kokës, revolvëeri i atentatit nga Vasili u morr nga ky i fundit në shtëpinë e tij.
“Me Vasilin jam njohur për herë të parë aty nga muaji maj i vitit 1939, kur ai erdhi në shtëpinë tonë. Në atë kohë, familja jonë banonte në një shtëpi dykatëshe dhe me oborr, e cila ndodhet edhe sot, por e rrënuar, diku në fund të Rrugës së Kavajës, fare pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës që është prishur tashmë. Ajo shtëpi ishte e Qeramudin Sulos me origjinë nga Libohova dhe ne banonim aty si qiraxhinj që nga viti 1937, kur babai ynë, kolonel Sami Koka, ishte zv/shef i Shtabit të Shtatmadhorisë dhe komandant i kufirit të Mbretërisë së Zogut”, ka rrëfyer ai, duke kaluar më pas në detajin në fjalë.
“Gjatë atij viti që Vasili qëndroi në shtëpinë tonë, babai erdhi dy-tri herë me leje dhe ato ditë aty i vinin për ta takuar disa nga miqtë e tij, ish-ministra dhe ushtarakë të lartë të Mbretërisë së Zogut.
Kur Vasili hynte në dhomën e tyre për t‘u shërbyer me kafe e raki, ata e pushonin bisedën, pasi bënin diskutime politike kundra Italisë fashiste dhe në favor të Zogut. Por, menjëherë babai u thoshte miqve të tij: ‘Mos e ndërprisni bisedën se ky djalë është si ne, ka bindje të thella zogiste dhe dëshiron kthimin e Mbretërisë së Zogut’”, rrëfen Genc Koka.
Për rastin e revolverit ai thotë:
“Ai i kërkoi vëllait tim, Pëllumbit, që t‘i jepte një revolver. Ne në atë kohë kishim disa armë të llojeve të ndryshme, të cilat ishin në gjendje pune dhe gjithashtu një koleksion të vjetër armësh, si ajo e Tafil Buzit, shpata e Marko Boçarit, e gjyshit tonë etj. Pëllumbi i tha Vasilit të zgjidhte këtë të donte se ai i kalonte çdo ditë në duar ato, duke i fshirë nga pluhurat. Vasili kërkoi një Beretë që ishte e vogël dhe unë u ngjita sipër e ia solla ashtu siç më tha vëllai im”. /sarandacity.al/