Këtë maj bëhen 10 vite nga “divorci” i madh mes artit të Estradës dhe regjisorit të lindur për Estradë, Thoma Milaj.
Nga publiku i gjerë dhe nga bashkë-punëtorët e tij të skenës, kjo kujtohet me dhimbje. Askush nuk do të besojë se ai u nda nga jeta dhe nga arti 10 vite të shkuara, pas goditjes prej një ataku m’u në zemër, atje ku kishte dashurinë për artin, për njerëzit që bënë art bashkë me të dhe dashurinë për ata që e pëlqenin të qeshurën, artin e humorit, të ardhur nga Estrada.
Ky është një rast kur të gjithëve na vjen edhe më pranë portreti i regjisorit gjithnjë të freskët, me shije të hollë e krijues në këtë lloj arti, përpjekja e tij e kthyer në histori sukesi, duke ia dalë t’i japë emër dhe famë trupës së aktorëve simpatikë, një ansambli që dhuronte buzëqeshje.
E përderisa në memorien kolektive jeton kjo histori, quaje se është në jetë edhe bërësi i saj, regjisori Thoma Milaj. Prandaj nga kolegët e bashkëpunëtorët e tij, sillet në kujtesë ditëlindja e fundit, ajo e 75-vjetorit të tij. Kujtohet Thoma Milaj, si një artist që prej vjetësh kishte “dalë në breg”, pa punën aktive dhe impenjimet artistike që përballoi prej 30 vjetësh me radhë si regjisor i Estradës së Sarandës.
Pas vitit 1990, Thoma Milaj jetonte familjarisht në ishullin e Korfuzit, por ai kthehej shpesh në dashurinë e tij të madhe, që ishte Saranda dhe arti e artistët e saj. Ishte shpirti i artistit që nuk e linte të ndahej nga brigjet e dashura, që gjenden përballë ishullit helen, nga qyteti, nga njerëzit dhe bashëkpunëtorët e nxënësit e tij të përher-shëm, ata që vazhdojnë gjurmën e tij në Qendrën Kulturore të Sarandës. Edhe ajo ditëlindje, që kujtohet si e fundit mes miqsh sot, nuk do të kishte atë përmbajtje dhe emocion, në se do të festohej larg miqve e bashkëpunëtorëve të tij të disa dekadave në Estradën që atë e bëri artist dhe ai i dha shpirtin e pasionin. Kujtojnë se kjo ndjesi do ta bënte të vinte enkas nga Korfuzi, ku jetonte dekadën e fundit, sepse qirinjtë e tortës e kanë lezetin të fiken atje ku të njohin vlerat.
Kujtojnë se, nën hijen e portokajve të bar-lulishte “Butrinti”, festa shkoi për mrekulli, edhe për arsyen se ishte jashtë çdo protokolli.
Regjisori i parë i estradës së Sarandës prej vitit 1964, u ndje në familjen e tij artistike, ashtu si në 30 vite me radhë. Humoristi Haki Spaho, aktorja dhe këngëtarja Pranvera Brinja, regjisori Vangjel Agora etj., sollën në kujtesë e riprodhuan situata nga puna krijuese e trupës, nga suksesi i saj në turnetë në qytetet ku ndodhte shpesh që, për të parë shfaqjet e Estradës së Sarandës, nuk ishte e mundur të gjeje një biletë pa mik, Ndër më të bukurat kanë qenë kujtimet e turneve që kjo trupë estrade ka bërë në të 100 fshatrat që përfshinte rrethi i dikurshëm i Sarandës e Delvinës. E protagonisti i gjithë kujtimeve dhe episodeve të treguara, mbetej regjisori i shqetësuar, kërkues dhe realizues, Thoma Milaj.
Vijuesit e rrugës së Thoma Milajt nuk kanë lënë pa vënë në dukje se falë trillit dhe talentit të tij artistik, edhe në kushtet e një mbështetjeje modeste nga shteti i atëhershëm dhe nën trysninë e kritereve të partishmërisë, ia dolën të japin spektakle dhe personazhe, të cilat nuk i ka zbehur as kalimi i 45 viteve me radhë.
Është përsëritur dhe pranuar si arritje e bukur, se merita më autentike e Thoma Milajt është e lidhur me dhënien e një profili muzikor të estradës, me vënien në skenë të disa komedive muzikore, që janë të pashlyeshme nga memorja e publikut sarandiot dhe atij shqiptar. U soll në kujtesë suksesi i sa e sa skeçeve muzikore, apo i disa komedive muzikore, tri prej të cilave “Flokë dëbore në prill”, “Alarm në postkomandë” dhe “Ra Sokrati në kanal”, u bënë nga më të famshmet nga qindra premierat e shfaqura nga trupa e Estradës Profesioniste të Sarandës. Këto e vodevile të tjerë, i dhanë prestigj dhe emër estradës së Sarandës në vite.
Festa e ditëlindjes së fundit të regjisorit Milaj kaloi aq këndshëm, në një atmosferë miqësore dhe humori, shoqëruar me shumë urime për regjisorin e Estradës Profesioniste të Sarandës, që u bë ndër më të mirat e më të ndjekurat në shkallë vendi. Ishte ky regjisor që e ktheu skenën e kinoteatrit “Butrinti” në shkollë të artit më komunikues me publikun. Gjithë mirënjohjen dhe dashurinë që artistët e skenës së estradës ruajnë për punën e bërë për 30 vjet nga Thoma Milaj, e shprehën me shumë buzëqeshje, me këngë dhe me humorin që u vinte natyrshëm. Këto kujtohen si buqeta më e mirë e urimeve që ata dhanë për ditëlindjen e fundit për regjisorin e kontributeve të mëdha.
Në këto 10 vite mungesë të artistit Thoma Milaj, ka nisur puna që emocionet e punës me të, për të bërë artin e të qeshurës së gëzueshme, të vijnë në formatin e një monografie. Kjo është një punë që vlen për t’u përshëndetur e admiruar.
Në një nga faqet e këtij libri do të zenë vend impresionet e Limos Dizdarit, muzikant i shquar, atëherë 25-vjeçar, i porsanisur punë në Shtëpinë e Kulturës në Sarandë,
Ja një pasazh nga ato që ai ka të ngulitur në kujtesë nga viti 1967:
“Ditët shtyheshin me vështirësi dhe netët ishin shumë të gjata. Në hotel ishte ftohtë, edhe pse isha në Sarandë. Ngrohja globale ishte larg. Në ditët e para të dhjetorit, Estrada Profesioniste do të shkonte për një shfaqje në një fshat, diku në periferinë e afërt të qytetit. Në fshatin Çukë. E pranova me shumë kënaqësi ftesën e dy miqve të mi nga Delvina, Xhulit aktore dhe Fani Nakos, që i binte fizarmonikës, të dy pjesëtarë të Estradës, për të shkuar bashkë, me tërë kolektivin, në shfaqjen që ata do të jepnin në fshat, Pianoja, që më ishte premtuar se do më vinte, ende nuk kishte mbërritur. Ky ishte rasti i një fillimi të mirë për njohjen me atë kolektiv, me të cilën do të punoja për disa vjet, duke patur suksese të përbashkëta. Në karrocerinë e atij ‘Zisi’ të mbuluar, njoha nga afër Thoma Milajn, regjisorin e talentuar, me të cilin do të ndjeja vazhdimisht kënaqësi dhe emocione të mëdha, të trasmetuara me gjuhën e artit, përmes një trupe aktorësh shumë të talentuar.
Më duhet të shtoj se puna e këtij regjisori ishte e tillë, që nuk kuptohej se ku fillonte puna apo talenti i aktorit, dhe ku nisnin të shfaqeshin vlerat e punës dhe të mençurisë e të talentit të regjisorit. Emri i tij do të rritej gjithnjë e më shumë në ato vite, që isha në shoqëri me të.
Shfaqia e dhënë në Çukë ishte befasuease. Unë isha vetëm 25 vjeç, por nuk kisha qeshur asnjëherë aq shumë. Fshatarët, si në kor, u mekën së qeshuri. Këtij korali u ishin bashkuar edhe brigadierët e kooperativës, pavarësisht se normat nuk i kishin realizuar, Qeshëm shumë, Ishim të gjithë të gëzuar. Aktorët ishin virtuozë. Kishte shumë improvizim dhe atmosferë artistike në shfaqje. Gjuha e trupit dhe e mimikës së aktorëve, fliste më shumë e më bukur se fjala e teksit. Dukej se puna që bëhej në Estradë ishte shumë e përgjegjëshme dhe profesionale, Kjo është vënë re në të gjitha premierat e kësaj trupe, që më e saktë do të ishte të quhej trupë e teatrit të estradës.
U kthyhem në Sarandë tërë humor. Të nesërmen në mëngjes unë u ndjeva mes tyre si një i ri me njohje të gjatë, Aktorët fillova t’i njoh me emra dhe për secilin fillova të kem preferenca, Të gjithë më krijuan ndjesi të veçanta. Thomai, regjisori, më thërriste shpesh në studion e tij, për t’u konsultuar për kolonën zanore të muzikës, Kjo ndodhte edhe më shumë, sidomos në rastet kur trupa e aktorëve përgatitej të vinte në skenë gjini të tilla si operetën apo vodevilin, që kërkonin më shumë vëmendje artistike për kolonën zanore e në mënyrë të veçantë për muzikën e kënduar, apo atë orkestrale. Aktorët e trupës ishin përzgjedhur me shumë pretendime dhe me ta bëhej një punë regjisoriale e personalizuar. Mes tyre çdo ditë e më shumë thellohej një garë e vërtetë profesionale. Aktorët, si: Jorgo Nano, Lekë Mosi, Myfit Braja, Illo Martiko, Violeta Cari (Haxhijani) e në mënyrë të veçantë Theofil Haxhijani, ishin jo vetëm të dashur, por edhe të respektuar për spektatorin e Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë”.
10 vjet mungesë, po i plotëson kjo lëndë e ardhur nga mbresat e punës gjithnjë krijuese me Thoma Milajn, me regjosorin që bëri histori me artin e të qeshurës.
Shkruan nga Thoma Nika – /sarandacity.al/