Shfaqen dita ditës, ndonëse jo në masë, jahtet e shtrenjta e moderne në portin e Sarandës, të cilat, siç dihet tashmë, vijnë të furnizohen me naftën më të lirë që Shqipëria ofron për to.
Qëndrimi i tyre herë për pak orë e herë disaditor, pasuron për pak momente dekorin turistik detar të Sarandës, duke i shërbyer dhe promocionit të qytetit prej famës që gëzojnë, por vetëm kaq. Së paku për momentin.
Po për ç’tjetër qëndrojnë ato në port teksa autobotet në radhë bëjnë furnizimin?
Burime afër tyre në port të thonë se ato edhe furnizohen me produkte të ndryshme nga supermarketet e qytetit, të cilat u duhen për udhëtimet e gjata. Për këtë të dhënë nuk ka shumë detaje nëse këtë rast bëjnë si “një rrugë e dy punë”, apo se dhe produktet janë më të favorshme në çmim.
Dhe një tjetër detaj, duke iu kthyer sërish naftës, veç çmimit të favorshëm, ajo u afrohet dhe me cilësi më të mirë.
Sepse, nëse e marrin më të lirë, si ia bëjnë me cilësinë, pasi siç dihet, kjo e fundit nuk gëzon reputacion pozitiv në Shqipëri, edhe në raport me fqinjin, grekun.
Por nafta për jahtet që merret në Durrës, nuk kalon në asnjë dorë kompromentuese shqiptare. Pra, siç vjen, pa shkuar dorë më dorë në distributorë, ajo mbërrin “e pastër” në serbatorët gjigandë të mjeteve luksoze lundruese. /sarandacity.al/