Edhe pak dhe Delvina do ketë bustin e një prej krenarive të saj – aktores së ndjerë Hajrie Rondo.
Për portetin e saj, fillimisht në allçi e më pas në bronx, është zgjedhur Tana, roli i saj i madh te “14 vjeç dhëndër”.
Tana, vajza e komedisë së Çajupit, bëri të famshme edhe aktoren Hajrie Rondo, e cila, në një intervistë të fiks 15 viteve më parë, ka thënë se e ka atë rol si kurorën e artit që di të bëjë.
Me vizatimin tipik dhe të vërtetë të figurës që ka krijuar, ka futur në dilema pa fund shumë njerëz: Të jetë nga Zagoria e autorit ajo Tana, të jetë nga Fieri, ku jetonte e punonte aktorja, apo nga Delvina e origjinës së saj?
Delvinjotët besonin se edhe krijesa e saj e dashur, Tana, pra, duhet të jetë nga qyteti i tyre, ashtu si vetë Hajria është nga qyteti i vogël jugor.
“Tanën e kam kryerolin dhe kurorën time”, thotë me dhembshuri Hajria, në ditën e atij marsi 2006, që një kurorë nderi i vuri Delvina e saj, duke e bërë “Nderi i Qytetit”.
Ajo ishte atëherë një 55-vjeçare, nga të cilat 35 vite i ka të lidhura me skenën.
Shumë gjëra të fillimit ia dedikon Delvinës. Gjimnazistes delvinjote, e shquar ndër shoqe në koncertet dhe shfaqjet e shkollës, këtu i shkëndijoi dëshira të bëhej artiste. Ajo kujtoi se si ishte ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë, që ia ndezi shkëndijën dhe shpresat se një ditë do ta shohë veten në afishet e teatrit dhe në titrat e ekraneve.
“Harrohesha pas artistëve të mëdhenj rusë”, ka treguar Hajria – “dhe që atje mora një vendim: unë do bëhem aktore dhe nuk kthehem prapa”.
Çfarë gjeni në intervistën e titulluar: “Sot jam ‘kanakarja’ e delvinjotëve”
Çfarë ndjen Hajria e kthyer në vendlindja dhe e nderuar prej saj?
Emocioni është i fortë dhe i veçantë. Ndjehem një bijë e përkëdhelur prej qytetarëve të mi, ose kanakare, siç themi ne delvinjotët.
Çfarë mendon se i mungoi kësaj dite?
Asgjë, të gjitha ishin të mrekullueshme: atmosfera, ngrohtësia, përzemërsia dhe mirësia e njerëzve, fjalët e ëmbla, të bukura në adresën time dhe të delvinjotëve, të thëna nga personalitete që Delvinës nuk i numërohen dot.
Në këtë ardhje në Delvinë u ngacmove ndopak për t’u kthyer pas në vitet e rinisë tënde këtu?
Eh, rinia! Jo pa qëllim në preferencat e mia kam shënuar se nostalgjia është rinia. Ardhja e sotshme m’i solli pranë edhe shumë prej kujtimeve të saj që lidhen me Delvinën time.
Çfarë kujton nga starti i udhës artistike?
Motivi i parë ishte Xheni. Unë nuk i kam ngjarë, kam ngjarë nga im atë, ai shkollën përkatëse nuk arriti ta bënte, por ishte artist i vërtetë, që imitonte dhe improvizonte në mënyrë të mrekullueshme. Nga traditat që ka Delvina si qytet kulturor dhe nga ajo mbresa që m’u krijua nga ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë, unë harrohesha pas artistëve të mëdhenj rusë. Dhe që atje mora një vendim: unë do bëhem aktore dhe nuk kthehem prapa.
Dhe si vazhdoi “ëndrra”?
Ia dola të bëhem studente dhe diplomante e Institutit të Lartë të Arteve. Fillimisht u emërova në Gjirokastër, por unë isha e dashuruar dhe e fejuar në Fier dhe ky ishte “stacioni” im i përjetshëm.
U pranua lehtësisht në familjen ku shkove që nusja të ishte njeri i skenës?
Me mua dhe bashkëshortin tim ka ndodhur mrekullia. Im shoq, Kiçua, ka qenë dhe volejbollist e trajner i këtij sporti e kjo mbase është edhe arsyeja që ne merreshim vesh shumë mirë me njeri-tjetrin, se bashkëjetesa e artit me sportin ka dhënë prova të panumërta.
Çfarë veçoni nga rruga juaj artistike 35-vjeçare në Teatrin e Fierit?
Do të veçoja ngrohtësinë që më ka rezervuar spektatori, sikurse e ka thënë regjisori i madh Pëllumb Kulla që “Fieri Hajrien e ka mbajtur ngrohtë”. Veç kësaj, jam ndjerë mirë me partnerët e mi të skenës, që janë të gjithë të mrekullueshëm, duke nisur që nga Pëllumb Kulla, personaliteti që e krijoi dhe i dha portretin Teatrit dhe Estradës së Fierit, Luftar Pajën, Fuat Boçin, Todin, Fatmirin, Vasil Vason, Fatos Selën e shumë e shumë të tjerë.
Cilat janë disa nga rolet tuaja në skenën e Fierit?
-Ato që më kanë bërë më të njohur janë rolet që kanë lënë më shumë mbresa tek spektatori: Tana, që është kryeroli im, kurora ime, filmat “Nëntori i Dytë”, “Një emër midis njerëzve”, “Kush vdes më këmbë”, Ruzja tek “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, nëna e “Avni Rustemit”, Viktorina dhe role pa fund që kam me Ceken, tek telekomeditë…
Çfarë zë vend në axhentën tënde momentalisht?
Sot gjendem në Delvinë, nesër në Fier, pasnesër në Himarë, pastaj në Tiranë me xhirime. Andej në Vlorë, në Shkodër, pastaj me një telekomedi me Ceken, më tej me Robert Ndrenikën, Roland Trebickën, Është një jetë me puls që ndjehet dhe më mban në kërkim e në krijim.
Ndjehesh e obliguar për ta ngritur edhe “piacën” artistike të Delvinës në krah të Fierit?
Këtu plekset dëshira me detyrimin dhe përgjegjësinë dhe nuk do të mbetem pa bërë diçka. Për këtë më nxit jo vetëm nostalgjia për qytetin tim, por edhe vlerësimi i vyrtyteve të tilla që unë ua njoh mirë. Ata janë të mençëm, paqësorë, punëtorë, me humor plot.
Përveç vetes, skenës po i jep edhe vazhdimin tënd, vajzën tënde?
Po, edhe kjo më mbush me gëzim e sadisfaksion. Djali i talentuar i Luftar Pajës dhe vajza ime duket se do të jenë vazhdimi ynë dhe njëherësh “mohimi” ynë, sepse jam plot shpresë se duke i përkitur një brezi dhe një kohe që vjen pas, do të bëjnë shumë më përpara se ne. Bisedoi: Thoma Nika – /sarandacity.al/
ri më sot”, tha ajo.