Nisja e Provimeve të Maturës këtë të enjte i ka zgjuar dhe nostalgjinë ish-zysh Majlinda Qilimit në Delvinë, prej dy vitesh në krye të Bashkisë së këtij qyteti.
Ndaj, gruaja që u zhvendos nga gjimnazi në hyrje të Delvinës në selinë e vendimmarrjes politiko-menaxheriale në periferi, te Ish-Ushtria, ka përcjellë një urim e ca foto të një dikurshmeje të afërt si mësuese me nxënësit e saj, sot disa dhe maturantë.
“Suksese sot, në provimin e gjuhës së huaj, të gjithë maturantëve te gjimnazit ‘Sulejman Delvina’!
Kam besim të plote se sot do të arrini të korrni suksesin e dëshiruar duke hedhur kështu nje hap më shumë drejt realizimit të ëndrrave tuaja.
Si ish-mësuesja juaj e njoh mjaft mirë përkushtimin, këmbënguljen aftësinë dhe dëshirën tuaj për të qenë gjithmonë në krye e për të arritur çdo synim që ju i vendosni vetes.
Forca, maturantë! Jeni më të mirët!”, mbyll mesazhin e saj kryebashkiakja e Delvinës, një ish-mësimdhënëse në gjimnaz. /sarandacity.al/