Prindërit me fëmijë e kuptojnë sa të pakta janë mundësitë për të argëtuar të vegjlit e tyre në çdo stinë në qytetin tonë. Me fluksin e vizitorëve të qytetit rritet dhe numri i fëmijëve që luajnë në parqet e qytetit.
Nisur nga dëshira për të qenë e qetë gjatë kohës që punon që fëmijët e saj do të argëtohen e jo të mërziten, Valbona Kërpaçi vendosi të realizonte një ide që i rrinte në kokë që kur u vendos në Sarandë dhe hapi biznesin e saj: të ndërtonte një park ku fëmijët e saj dhe çdo fëmijë pranë asaj lagjeje të kishin mundësi të argëtoheshin.
“Nuk dua të përmend as kosto, as shpenzime, as lodhjen për të bërë të mundur këtë park lojërash, e kam bërë me shpirt jo vetëm për fëmijët e mi, por të gjithë prindërit janë të mirëpritur ti sjellin fëmijët e të luajnë. Nuk ka gjë më të rëndësishme se lumturia e një fëmije”, shprehet Valbona.
Një park lojërash pa pagesë, kushdo mund të jetë vizitor, madje Valbona shton:
“Në një të ardhme shumë të afërt dua të ndërtoj një park lojërash për fëmijët me aftësi të kufizuar, sepse nuk e gjen as këtu as në qytetet përreth.”
Edhe në qoftë se çerdhet apo kopshtet kanë nevojë të ndryshojnë rutinën e tyre, janë të mirëpritur nga stafi i këtij hoteli.
Jo vetëm një park lojërash me tapet jeshil, por aty gjendet dhe një fushë futbolli, që mund të transformohet dhe në fushë basketbolli.
Kanë qenë fëmijët e shtëpisë “Vangjel Pulla” ata që e kanë inagururuar ditën e sotme këtë park, ku kanë luajtur, kërcyer dhe kanë kaluar disa orë duke u argëtuar.
Edhe pse nuk duan të reklamohen për këtë vepër që kanë bërë, prindërve do t’iu duhet një adresë se ku ndodhet ky vend.
Në Lagjen numër 1, në ambientet e Hotel Saranda Internacional gjendet ky park lojërash për të gjithë fëmijët e qytetit. /sarandacity.al/