Zv.ministri i brendshëm Besford Lamallari tha se operacioni “Bregdeti Ynë” do vijojë pa u ndalur. Sipas tij, ata që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme po ndërgjegjësohen vetë tashmë.
“Dita e djeshme shkoi shumë mirë. Janë prishur dje 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil, operacioni vijon. Ka edhe një ndërgjegjësim të momenteve të fundit pasi u pa vullneti i qartë i qeverisë për të pastruar njëherë e mirë bregdetin dhe kemi persona që po prishin tashmë godinat e tyre.
Dje patëm të paktën 4 apo 5 raste në Ksamil ku vetë pronarët, ndërtuesit u angazhuan për të prishur objektet që kishin ndërtuar, e njëjta gjë po konstatohet edhe në Velipojë pasi u njohën me ultimatumin e qeverisë”, tha Lamallari.
Sipas tij, do ketë dhe prishje gjysmake, pasi një pjesë e obkektit mund të jetë në rregull me ligjin,
“Operacioni do zgjasë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare.
Kemi dhe raste ku nuk mund të ndërhyhet në prishjen e gjithë objektit pasi katet e para mund të jenë me leje, po ndërhyjmë me metoda të veçanta, me prerje objekti që mos të dëmtohet pjesa tjetër.
Këto janë raste sporadike. Duhet të marrë fund epoka e ndërtimeve pa leje. Kjo në fund të ditës është të bërit shtet”, arsyetoi ai. /sarandacity.al/