Si anekënd vendit, edhe në Sarandë, brenda në qytet, gjenden bunkerët e kohës së Enverit. Një prej tyre është shndërruar dhe në atraksion turistik nën emërimit “Memorie”, trajtuar me sens artistik nga ideatori Lefter Çeko.
Ndërkohë, pak më tutje, është zbuluar së fundi një sosh, më saktë është pastruar nga shtresat e dheut që koha kish vënë mbi të dhe nuk dihet nëse ka ndonjë ide apo projekt se çfarë do bëhet me të brenda kontekstit turistik që ka qyteti.
Dhe këtu është rasti për të kujtuar se 30 vite më parë, qeveria e atëhershme e drejtuar nga Ylli Bufi, do vendoste t’i shndërronte ato në tjetërçka brenda frymës së sistemit të ri politik, ekonomik e social. Më saktë, u lejua të shndërrohen dhe në lokale e ristorante, por jo dhe në muze siç do ndodhte shumë vite më vonë me BunkArt-et në Tiranë, apo me këtë të vocklin në Sarandë.
Ja çfarë shkruhet në vendimin e 24 nëntorit 1991:
Për të vënë në shfrytëzim të ekonomisë strehimet mbrojtëse të popullsisë dhe objektet tunelizuese të MCR-së, si dhe për mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen, me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Keshilli i Ministrave
Vendosi:
- Strehimet mbrojtëse, të ndërtuara me shpenzimet e shtetit, lejohet ta përdoren me qira nga ndermarrjet, institucionet dhe nga personat e tjere juridikë e fizikë, vendas që ndodhen në afërsi të strehimit dhe brenda juridiksionit të lagjes.
2.Dhënia me qira e këtyre objekteve dhe të atyre tunelizuese të MCR-së të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse për privatizimin.
- Ndalohen përshtatjet e ndryshimet konstruktive në këto objekte si dhe magazinimi dhe futja në to e mallrave dhe e materialeve që paraqesin rrezikshmëri për jetën e njërëzve. Kurdoherë këto objekte janë mbrojtëse, prandaj heqja e pajisjeve dhe e mallrave që magazinohen në to të bëhet brenda 2-3 orëve nga koha e dhënies së gatishmërisë nga ana e organit përkatës.
- Duke filluar nga viti 1992, të gjitha projektet e strehimeve dhe të objekteve tunelizuese të hartohen nga Instituti i Studimit dhe i Projektimit të Veprave Mbrojtëse i Ministrisë së Mbrojtjes, si objekte mbrojtese të popullsisë civile. Ato të projektohen në mënyrë që të kryejnë edhe funksionin e objektit ekonomik si lokale tregtie, restorante, taverna, kënde lojrash, tavapjekës, garazhde automjetesh etj. Këtij qëllimi t’i shërbejnë edhe objektet e tunelizuara për MCR-në.
- Për administrimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e strahimeve mbrojtëse në qytete përgjigjen saksionet komunale dhe ndërmarrjet, institucionet ose personat që i kanë në përdorim, kurse për strehimet mbrojtëse që janë brenda territorit të ndërmarrjes, institucionit e banesave private, përgjigjen vetë ato. Për strehimet kolektive në fshat përgjigjet komiteti ekzekutiv i fshatit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kyetari i Këshillit të Ministrave, Ylli Bufi. /sarandacity.al/