Sqarim paraprak: Ndjesë për poseduesin e kësaj makine që a’s dimë e as s’e njohim kush është dhe që mund të jetë shembullor me shtetin dhe njerëzit, gjithashtu dhe në jetën publike.
Makina është zgjedhur për ilustrim dhe, siç mund të dallohet, i janë fshehur identitetet për korrektesë etike.
Pra, çfarë shkruhet më poshtë, nuk ka asnjë lidhje të drejtpëdrejtë me këtë automjet apo poseduesin e tij.
A ka dhe Saranda prej atyre që i morrën jetën një familjeje në aksin Fier – Vlorë, pra të rinj në makina luksi, prej atyre që menjëherë të tërheqin vëmendjen nga përthyerja logjike e shtrenjtësisë së makinës me atë që është në timon, mosha apo pamja?
Po, si kudo në fakt në Shqipëri.
Por në Sarandë është theksuar madje vitet e fundit. U dalluan qartë sidmos në kohën e pandemisë, në pranverën e 2020-ës, ku vetëm ata kishin lirinë e bredhjes në orët ku i gjithë qyteti ishte ngujuar me urdhër qeverie. Stacionin e ndalesës për pak muhabet a ndonjë cigare me njëri-tjetrin, e kishin zakonisht në fillimet e aksit Turizëm – Çukë.
Ndërkohë, rrugët ku ata “sfilojnë” janë ajo 3, nga fillimi i saj e deri te Lulishtja, në Rrugën 2, nga “9 Tetori” deri te Gazetat e tutje, apo nga rruga e Portit. I has gjithashtu dhe nga Limjoni me prirje drejt qendrës.
Në segmente të caktuara zgjedhin trimërimin me gazin në dërrasë për qejfin e tyre, qoftë dhe për 50 metra, që është njëherësh dhe një lloj arrogance ndaj këmbësorëve në rrugë apo të tjerëve në timon të makinave më modeste.
Nuk besohet të jenë të pavëzhgueshëm nga policia. Saranda nuk është metropol. Qyteti mund të përshkohet për maksimumi gjysmë ore.
Qeveri sapo ka paralajmëruar vetting ndaj poseduesve të makinave të shtrenjta dhe nuk dihet nëse do ndodhë në Sarandë që policia të ndalojë ndonjërin prej tyre dhe t’i kërkojë të ofrojë llogarinë se si është blerë ajo.
Sigurisht, nuk janë të gjithë siç mund të mendohet. Disa i kanë të justifikuara nga bizneset në vite, ku problem është kalimi te fëmija i gati 100 mijë eurove që, prej pordhës idiote mund të marrë jetë njerëzish, të të çojë në burg e të të shkatërrojë gjithë çfarë ke ndërtuar në jetë.
Niveli i tyre kulturor katastrofik, prej nga burojnë të gjitha marrëzitë dhe me kosto jete, shihet që nga lloji i muzikës që dëgjojnë, që gabimisht quhet muzikë. Jo thjesht pra rrezik jete, por dhe një fyerje për sqimën njerëzore. /sarandacity.al/