Është e vështirë të imagjinosh se ç’bëjnë këto ditë dy prindër fëmijët e të cilëve kanë shkaktuar dy aksidente të rënda, njëri me shuarjen e një familje.
Ç’mund të bëjnë Erzen Breçani, ish-kreu i policisë së Tiranës, një kuadër policor karriere, biri i të cilit fluturoi me benz luksoz mbi trotuar në Tiranë duke gjymtuar një të re 23-vjeçare, apo biznesmeni Bashkim Madani, i biri i të cilit shoi një familje në aksin Fier – Vlorë me Audi 100 mijë euro?
Kanë vënë kokën mes duarve duke vuajtur dhe ata, ndoshta deri në përlotje të pabërën e fëmijëve? Kështu duhet të jetë logjikisht. Dhe nëse është kështu, krejt natyrshëm do kishin bërë një reagim publik, një ndjesë sidozot, edhe si një çlirim i ndërgjegjes së tyre nëse ajo vërtet vuan. Por jo, heshtje!
Për të birin e Breçanit thuhet se ka lenë qelinë e është në arrest me burg (ta gëzojë vërtet ky fakt të atin?), ndërsa nga të afërm të familjes Gushi vjen ankesa etike se nga familja e autorit të aksidentit nuk ka ardhur asnjë ndjesë. Edhe kjo pra është e rëndë, shumë e rëndë.
Erzen Breçani ka një status publik, është njeriu që mbron kauza në emër të profilit si njeri i ligjit, e obligohet të dalë, të komunikojë me publikun, të shfaqë atë që ai mendon se është karta e fortë morale e tij dhe në këtë goditje që ka marrë nga i biri. Çudi s’i nuk e bën!
Duhet të dalë dhe Bashkim Madani, edhe për t’i thënë publikut se dhe ai vuan si të tjerë, ndoshta shumë më tepër, gjithsesi jo aq sa të afërmit e familjes së shuar.
Duhet të dalin pra që të dy, nëse vërtet besojnë se ç’u ka ndodhur më fëmijët ka qenë vetëm një aksident, se ata kanë bërë ç’është e mundur që t’u injektojnë moral e vetëdije shoqërore. Nëse nuk dalin, janë të dënuar që opinioni t’i perceptojë si bashkëfajëtor në atë që ka ndodhur, për dështim në edukimin e fëmijëve, me pasoja jo rrugaçllëqe të thjeshta e të zakonshme adoleshentësh, por jetë të gjymtuara e të humbura, si pasojë e kriminalizimit në timon. /sarandacity.al/