Albert Sula, pronar i Castle Hotel në Ksamil, të cilit Minstria e Mjedisit i ka marrë një parcelë plazhi për t’ja dhënë një tjetri, një polici, tha se nuk do dëshironte të ndodhte me të ajo që ndodhi në Velipojë.
“Problemi tani është shumë i madh për mua. Realisht unë jam njeri me karakter që nuk më pëlqen që në një konflikt të derdhet gjak si në Velipojë, por kërkoj nga drejtësia, drejtësi. Ky problem është në lidhje me kontratën me stacionin e plazhit që i është dhënë një punonjësi të policisë, i cili ka aplikuar në emrin e gruas së vet”, tha Sula, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës.
Ai vuan atë që ka ndodhur të hënën, por po përmbahet. Sipas tij, shkeljet dhe padrëjtësia është e qartë, pa asnjë komplikim.
“I janë dhënë padrejtësisht 400 metra katrorë në territorin e plazhit tim dhe me pak fjalë e gjeti të shtruar, të investuar nga unë, të mirëmbajtur 12 muaj të vitit. Bashkia i bëri procedurat pa pyetur fare pasi unë jam një qytetar që kam investuar aty. Në këto rrethana duhet që të mos goditet një biznes i ndershëm. Personi në fjalë nuk e meriton. Ka një lokal me qira me metra të kufizuar 50 metra. Është një i ardhur që futet direkt në një ambient që e kam pasur me kontratë dhe kam paguar taksa gjithmonë”, arsyeton Sula.
Sipas tij, me këtë mënyrë si po veprohet nga shteti, njerëzit po shkon deri drejt vëllavrasjes.
“Bëj thirrje që drejtësia siç ka filluar të funksionojë më mirë të zgjidhë hallet dhe problemet e njerëzve që të mos konfliktohen dhe mos kalojnë në vëllavrasje. Këto janë të lidhura edhe me vendimmarrjet e institucioneve të ndryshme”, tha Sula.
Rasti i tij përbën një ndër më të çmendurit në ndarjen e parcelave nga Mjedisi.
Duke shfrytëzuar një gaësirë unike plazhi ndër vite, atij i është futur tjetri në mes, ku dhe rrugën për aty duhet ta bëjë nga prona e tij. /sarandacity.al/