Saranda, një nga qendrat turistike më tërheqëse në jug të Shqipërisë, për turistët e vizitorët e shumtë po vizitohet nga jahtet luksoze dhe velierat këtë sezon turistik, shkruan ATSH.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro, tha për ATSH-në se “që prej janarit të këtij viti deri në 30 qershor portin e Sarandës e kanë vizituar 163 jahte luksoze dhe veliera”.
Sipas tij, gjatë muajit qershor është vënë re një fluks i kroçerave dhe jahteve turistike.
“Nga 1-30 qershor portin e Sarandës e kanë vizituar 100 jahte dhe veliera. Ndërkohë që java e fundit e muajit qershor ka qenë me intensitet të lartë ku janë përpunuar disa jahte dhe veliera”, theksoi Qendro.
Më tej, në shkrimin e ATSH-së thuhet diçka që Saranda nuk e gëzon si cilësim, por që sipas kësaj agjensie shtetërore të lajmeve në Shqipëri na ekzistonka.
Shkruhet: “I përkufizuar si ‘Qyteti i bardhë’, ai është i rrethuar nga kodra (duhej thënë se është i vendosur në faqe kodrash) dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.
Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është Kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare”.
Për hir të së vërtetës, Saranda nuk ka asgjë të bardhë për t’u quajtur “Qytet i bardhë”. Madje nëse fatmirësia e saj është pozicioni gjeografik i shtrirjes urbane, drama e saj është arkitektonike dhe estetike.
Pikërisht për këtë arsye, ajo e ka emergjente një kurim estetik të jashtëm, siç është përfolur një lyerje e mundshme e fasadave të pallateve.
Nëse bëhen të bardha, ahere po, mund të quhet “Qytet i bardhë”. /sarandacity.al/