Arkiva Shqiptare kujtoi përvjetorin e radhës së ikjes nga kjo botë të më të madhit personalitet historik të zonës në fushën e mendimit, Hoxha Tahsinit.
“3 korrik 1881 ndahet nga jeta Hasan Tahsini
Lindi në Ninat, një fshat në jug të Shqipërisë, në krahinën e Çamërisë. Përfundon medresenë në Stamboll dhe Sorbonën në Paris, Francë, për shkenca të natyrës.
Drejton si Rektor, universitetin e parë të hapur në qytetin e Stambollit, ku jep dhe disa lëndë. Matematicien, astronom, filozof, shkroi gjatë jetës së tij disa vepra të rëndësishme shkencore në astronomi dhe psikologji. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.
E largojnë nga universiteti i Stambollit dhe nuk i lejojnë më mësimdhënien. Bashkëpunëtor me rilindasin tjetër S. Frashëri me të cilin u përpoq të krijonte dhe një alfabet shqip. Vdiq në 3 korrik 1881 në Stamboll”, shkruan Arkiva Shqiptare.
Kujtojmë se Saranda ka një bust të Hasan Tahsinit në shëtitore, një pjesë e kësaj të fundit mban emrin e tij, si dhe gjimnazi po ashtu. /sarandacity.al/