Një nga ato çështjet e zakonshme të një sezoni u konsumua në fundjavë: çmimet në restorante.
Dhe duhet thënë se abuzivizmi është i dëanshëm, si nga ata që shërbejnë e si nga ata që konsumojnë. Te ata që shërbejnë, më e rënda është ajo që përflitet – menutë e ndryshme nën banak, të cilat, djallëzisht u dedikohen tre kategorive: të huaj, kosovarë, nga Shqipëria.
Te ata që konsumojnë është naiviteti në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të moskuptuarit e tregut. Tregu është i lirë dhe çmimet i dikton dhe konteksti. Një peshk, një spageti a një sanduiç, pavarësisht emrit të njëjtë apo ngjashmërisë në recetë, pozicioni nga e konsumon, në ç’rrethana e konsumon apo si të serviret, patjetër që bëjnë diferencën, pra dhe në çmim. Në s’ka ardhur ende kjo kohë, do vijë natyrshëm dhe duhet të vijë. Sepse ndryshe, Saranda apo Ksamili do fokusohen te numrat – shtretër, dhoma, restorante, por jo standarte.
Ama, ajo që tërheq është standarti.
Shiheni Ksamilin: është mrekulli në anën detare, por nga pas është fshat, fshat në kuptimin e rëndomtë të fjalës e jo atë romantik. Madje ky fshatarizëm dominon dhe në shërbimin në vijën e parë, aty pra ku përqendrohet masa turistike.
Klasi, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, i cili josh dhe Vipëri të vijë e të konsumojë aty, ku si rrjedhojë të ketë fatura jo 300 euro por dhe më tepër, mungon tërësisht.
Se ja fjala vjen, ditë më parë qe lajm ai që Justin Bieber kishte drekuar me një faturë të kripur në Greqinë fqinje. Ky ishte lajm i madh për Greqinë në terma marketingu turizmi. Justin Bieber e kërkon vetë një faturë me tre zero nga pas, siç shumë të ngjashëm me të. Por kjo për momentin është e pamundur te ne. Madje dhe në ato që konsiderohen resorte, ku vlera e investimit është në diz’harmoni me llojin e kamarierit – i lodhur dhe hallexhi i rëndomtë që në pamje.
Fotot e Ksamilit me detin që ka vërtet mund të bëjnë xhiron e botës, por jo lajmet mbi aksh Vip botëror që bërn apo bëri plazh aty.
Ndërsa sa për ato gojë apo lajmshkrues që vuajnë prirjen injorante apo keqdashëse për të ofruar lajme të kripura për çmime të kripura, duhet ta dijnë se në shumësinë e restoranteve apo lokaleve ekzistojnë variable çmimesh, lehtësisht të verifikueshme, pa ndodhur të befasohesh. Madje mund të ndodh të befasohesh për të kundërtën – çmimet e lira. Dhe të tilla ka boll, ndoshta më shumë se ato të destinuara për lajmin e keq.
Mirëpo siç ka shumë fshat në terrene turistike, ka po ashtu ka dhe në media! /sarandacity.al/