Bashkia Finiq denoncon rastet e vjedhjeve, edhe brutale, të banorëve të saj.
Me fshatra plot shtëpi ose të kyçura, ose me pleq të vetmuar, ato, siç mund të merret me mend, janë shënjestër e grabitësve.
Ndaj, në një postim të pazakontë, kjo Bashki ofron dhe emra konkretë banorësh që e kanë pësuar së fundi nga grabitjet, si një thirrje e fortë për Policinë që të bëjë detyrën.
“Raste të shtuara të grabitjeve janë vërejtur kohët e fundit në fshatrat e Bashkisë së Finiqit.
Shënjestra e tyre këtë herë ishin disa fshatra të Njësisë Administrative të Alikos dhe specifikisht fshati Çaush dhe Neohori, ku janë hapur shtëpitë e banorëve Hriso Peivani, Kaliopi Gudi dhe Thoma Qesko.
Grabitësit, përveç përvetësimit të gjërave me vlerë dhe parave, gjithashtu përdorën dhunë brutale ndaj të moshuares Hriso Peivani, e cila u transportua në spital.
Kryetari i bashkisë, Z. Kristo Kiço, i bën thirrje policisë së shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar veprime të tilla.
Ndërkohë, ai ka aktivizuar policinë bashkiake në patrullime gjatë natës në akset qendrore të Bashkisë”, përfundon postimi. /sarandacity.al/