Klubi i Sportit Butrinti i ka kushtuar një shënim arritjes më në të fundit në not, e cila lidhet me emrin e të riut Ronaldo Serjani, i cili sapo ka thyer një rekord kombëtar në stilin flutur.
“Përfaqësimi i Butrintit në kampionatin europian të notit 6-11 korrik, sinjal për rikthimin e traditës në Sarandë?”, e nis këtë shënim KS Butrinti, duke bërë më pas një rezyme të arritjeve vitet e fundit, deri te kjo e Ronaldo Serjanit e hedhur idenë e një pishine të mbyllur.
“Pas Skerdi Muço në Novi Sad Serbi 2005, Anisa Curraj në Melbourne Australi 2006 , Florenc Llanajt në Pescara 2008, 13 vjet më vonë Ronaldo Serjani bëhet sportisti i katërt nga rradhët e Butrintit që përfaqëson kombëtaren shqipëtare të notit në një event madhor.
Por a duhet të fokusohemi që notarët sarandiotë të arrijnë rezultate maksimale dhe të garojnë të barabartë me homologët e tyre në vend?”
“Mungesa e pishinës dimërore detyron adoloshentët e qytetit tonë të stërviten në kompleksin Esat Mamaca vetëm 4 muaj në vit, shumicën e kohës me dallgë dhe kushte jo profesionale. Shumica e notarëve tanë detyrohen të braktisin këtë sport të bukur dhe të vështirë njëkohësisht.
12 rekorde në një event për moshat 11-12 vjeç dhe 4 të tjera për moshën 13-14 vjeç arrinte sportisti Jon Shalari në 2009-2013 ndërkohë që 50 metra stil i lirë thyhet gati 6 vjet më vonë vetëm me të qindat e sekondit
Me informacionet që kemi nga profesor Edmond Vasi, fati i shumë sportistëve të rinj me premisa të mëdha është në pikëpyetje. Për të arritur rezultate maksimale duhet impenjim dhe stërvitje vjetore, diçka që Sarandës i ka munguar historikisht.
Pyetja është: a do të ketë më Skerdi, Anila, Florenc e Jon nëse nuk investohet për të krijuar infrastrukturën e duhur në një sport ku sarandiotët e kanë talentin por jo kushtet.
Përgëzime për Ronaldo Serjanin dhe profesor Edmond Vasin”, përfundon KS Butrinti.
Ndërkohë kujtojmë se tradita tjetër e Sarandës, ajo e shahut, vijon me suksese të pandërprera. Dhe sa për kushtet, klubi i shahut është i kënaqur deri më tani me atë çfarë i ka ofruar Bashkia. /sarandacity.al/