Nga “Yje në Lëkurës”, morëm shijen e artit të vërtetë, që dinë ta japin artistë yje, duke nisur me Kastriot Tushën, Armando Likajn, Adelina Palojën, Mariza Ikonomin, Ema Andrean e deri te Diego, që na tregoi se verbërinë e vet e shpërfill. E për këtë i mjafton zëri i shndritshëm.
Pavarësisht emrave dhe famës që kanë artistët që përmenda, pashë se të tërë çmonin ftesën e ardhur nga Sokol Guga, producenti shumë i ri, shumë king, shumë fin dhe shumë punëtor, i cili i kishte thirrur “nën armë”, (e “arma” e tyre është arti i madh) për të “pushtuar” Kalanë e Lëkurësit.
Lëkurësi ishte zgjedhja e duhur për suksesin e sigurt të spektaklit.
Ne sarandiotët pyesim mysafirët që na vijnë: ke qenë në Lëkurës? Sepse, nëse nuk ke ardhur në Lëkurës, i bie që nuk ke qenë në Sarandë.
Kur ngjitesh në Lëkurës, ndjehesh si në një bord avioni. Ndaj nuk kanë të numëruar shkrepjet e fotove në një minutë, me Sarandën e bukur, e kuadruar e tëra, me të tëra hiret.
Çfarë mendova duke e parë Sarandën natën nga kjo kala?
Mendova që Saranda ka dy sfida afatmesme, që duhet t’i fitojë.
E para: që DITËN TA BËJË NATË.
E thënë ndryshe, që të duket edhe ditën siç duket natën, e cila dihet se fsheh disa mangësi. Me këto mangësi është sfida.
E dyta: ÇDO DITË ME DIELL TA KETË DITË TURISTIKE. E thënë ndryshe: aq sa janë ditë me diell në vit (300), të jenë ditë turistike. T’i iket absurdit që ditët turistike janë të barabarta në numër me ditët pa diell (60).
Sfida e tretë është më e para dhe afatshkurtër, pasi është SFIDA 2021: Të kapet kuota e 800 mijë turistëve këtë vit. Në se kjo ndodh, do të thotë se është edhe impakti i spektaklit “Yje në Lëkurës” dhe e tërë eventeve artistike e kulturore, të programuar për të shoqëruar me produkte të turizmit kulturor sezonin veror dhe përtej sezonit tradicional, nga marsi në tetor.
Shkruar nga Thoma Nika, gazetar