Besimtarë muslimanë në Sarandë, si kudo në Shqipëri e botë, festuan Kurban Bajramin, një nga dy festat islame.
Në xhaminë kryesore të qytetit, aty ku u krye dhe riti i faljes herët në mëngjes, me rrezet e para të diellit, me dhjetra besimtarë dëgjuan dhe ligjeratën e Myftiut Bledar Mullai, i cili shpjegoi simbolikën e kësaj dite.
Siç tha ai, kjo nuk është festë e therrjes së një bagëtie apo e ngrënies së mishit; është sipas tij ditë e falenderimit dhe e bindjes së njeriut nga urdhëresave të Zotit.
Kjo bindje, tha i pari i muslimanëve të Sarandës, është ajo që e përmison karakterin dhe sjelljen e njeriut dhe ia rregullon atij jetën, të brendshmen dhe të jashtmen.
Ai tha se një akt kurbani i kuptuar drejt, e bën njeriun më të paqtë dhe e afron më shumë si krijesë me Krijuesin e tij.
Në shpjegimet e tij, Myftiu Mullai iu referua asaj ngjarjeje të madhe në jetën e Profetit Ibrahim, të cilit iu urdhërua nga Zoti të flijonte të birin Ismail, një gjë që nuk ndodhi e asesi nuk mund të ndodhte, gjersa po nga Zoti iu urdhërua e kundërta, mjaft që të dy bashkë, babë e bir, nuk patën asnjë luhatje për të çuar në vend një urdhër të Zotit, pa e disktutuar në asnjë moment.
Ky duhet të jetë njeriu me Zotin e tij! /sarandacity.al/