Javer Malo, vëllai i dëshmores Lejla Malo, është ndoshta emri më i madh në diplomaci që ka nxjerrë Delvina.
Ish-ambasador në Francë në regjimin komunist, ndër më të afërt diplomatë me Enverin, ai, në kujtimet e tij vizaton vendlindjen, Delvinën, ku në një rast shfaqet dhe kundrathënës.
Fillimisht, pas një kthimi nga Franca në vendlindje, ai shkruan se “në vitin 1947, në Delvinë gjeje ende shtëpi që ishin ndërtuar të paktën që në kohë të Ali Pashë Tepelenës dhe gjithë qyteti me qendrën e tij nuk ishte më i lashtë se mesi i shekullit të 19-të”.
Më pas prek profilin njerëzor të Delvinës:
“Delvina ka qenë një qytet i vogël, i përbërë në pjesën më të madhe nga njerëz të thjeshtë, punëtorë, zanatçinj, bujq e blektorë, pa fjalë shumë por krenarë në varfërinë e tyre”, është një nga cilësimet e Javer Malos për bashkëqytetarët e tij.
Por nga një këndvështrim ideologjik, ai më pas ofron një përshkrim tjetër, pak dhe të ashpër:
“Në Delvinë, dikur një kështjellë feudalësh, kishte filluar të ngrihej një borgjezi tregtare e pangopur e fajdexhinj, por dhe pa kulturë dhe gjysmëinjorante. Njerëzit e qytetit nuk ishin analfabetë, por në pjesën më të madhe niveli i kulturës së të tyre nuk e kalonte atë të shkollës fillore”.
Javer Malo bën dhe një përshkrim të pozicionit gjeografik të Delvinës teksa shkruan se “Delvina është një qytet i bukur, i futur në një gropë nën këmbët e Malit të Gjerë, me aq male e kodra sa ia mbyllin horizontin nga të gjitha anët. As 10 km nga deti me fluturimin e zogut, asaj ia mbyllin pamjen e ujrave të Jonit mali i Kakomesë dhe i Lëkursit”. /sarandacity.al/