Një aksident i rëndë me autobus afër Slavonski Brod në Kroaci, në të cilin u vranë 10 vetë, tregoi edhe një herë rëndësinë e përdorimit të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të një autobusi ose makine, shkruan Jutarnji list kroat.
Pasi autobusi u përmbys, një pjesë e udhëtarëve dolën prej aty, një pjesë e tyre fluturuan brenda në autobus, ku disa u vranë dhe të tjerët u plagosën rëndë. Kjo u konfirmua nga shefi i Shërbimit të Sigurisë në Trafik të Ministrisë së Brendshme kroate, Josip Mataija, i cili tha se një pjesë e udhëtarëve ranë nga autobusi pasi nuk ishin lidhur me rrip sigurimi dhe kjo solli vdekjen e tyre.
Autobusi që u aksidentua është i një prodhimi i ri dhe të gjitha vendet janë të pajisura me rripa sigurimi, ndaj udhëtarëve u kërkohet të lidhen.
Të gjithë ata që nuk ishin të lidhur dhe u plagosën, nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, as familjet e të vdekurve që nuk ishin të lidhur.
Por pronarë autobusësh me të cilët foli Jutarnji list thanë se është pothuajse e pamundur që shoferët të kontrollojnë se cili nga pasagjerët është i lidhur dhe cili jo, dhe se nuk është e mundur të zbatohet ky rregull si në rastin e transportit ajror ku avioni nuk niset deri sa të gjithë pasagjerët të jenë të lidhur. /sarandacity.al/