Saranda është një qytet edhe plot çudira. Shdërrimet e saj në rrjedhën e viteve, ofrojnë aspekte shumë pikante.
Nga 50 baraka në 50 taksi
Ka qenë një kohë kur Sarandës i thoshin edhe “qyteti i 50 barakave”. Banorët e hershëm të saj ia mbajnë mend “brinjët” e drunjta asaj Sarande. Sa për të vënë në lëvizje “shiritin” e kujtesës, le të ndalim tek ajo shkalla e sotme që të çon në institucionin e Sigurimeve Shoqërore, apo në Gjykatën e rrethit. Në të dy krahët e saj një “mbretëri” barakash ngrihej që bënin “zemrën” e qytetit. Po i tillë, me një pamje barakash, të shfaqej ky qytet, qysh në hyrje të tij. Që të gjitha, me syrin e sotëm, do të na dukeshin si shkurre kacavjerrëse rrëpirave të Sarandës. Dhe jo më larg se 5-6 dekada të shkuara kështu.
Pa qenë nevoja të humbim të kërkim të fjalëve për të dhënë metamorfozën, zhvillimi është i tillë që ofron të gatshëm edhe krahasimin. Për koincidencë dhe pa asnjë retushim të shifrave që ofron statistika bashkiake, po aq sa ishin baraka dje, saktësisht 50, janë taksi shërbimi të licensuara. Në raport me numrin e popullsisë, i bie një taksi në 600 banorë.
Fari i munguar
22 qershorit 2002, i thamë ndryshe “Festa e detit”. Kjo ditë ishte promovuese edhe për Farin simbolik, që normalisht nuk kish pse i mungonte një qyteti port, si Saranda jonë.
Sesa të nevojshëm e kishte një mjedis detarësh një far, e pamë vite të shkuara, kur sheshi i limanit u bë shesh xhirimi për një film artistik. U ngrit aty një far butaforik, por me përmasa natyrore, si të ishte i vërtetë. Kur grupi i xhirimit iku dhe nga ai shesh u shkul edhe fari, na u duk, edhe për shumë kohë, se detit i mungonin brigjet. Ai far la një zbrazëti, që syri e kërkoi gjatë. Me sa duket, aq gjatë, sa edhe pas dekadash mbeti ngacmues për ta bërë Sarandën me një far “të patundshëm”.
Ky sezon e solli këtë si një ndër punët e shumta, të mira e me vlerë të tij. Fari që shpërndan sinjale dhe flakë si gjuhë të deshifrueshme nga detarët, është vepër e piktorit të shquar shqiptar Ilia Xhokaxhi. Ai ngrihet 5 m i lartë, mbart karakteristikën e veshjes me gurë dhe është strukturuar edhe në imazhin e një obelisku, ku është ideja të gdhenden emrat e njerëzve më të shquar të qytetit. Projekti i kësaj vepre arti kushtoi më shumë se 4 milionë lekë të reja.
20 vjet më pas, shkon sërish vëmendja te ky Far, për t’i shtuar atij vlera të reja dekorimi, kur Saranda ka nisur të duket mbrëmjeve edhe si një ujëvarë dritash. Ndriçimi i Farit gjuthashtu po futet në këtë “lojë” dritash, duke e bërë atë me imazhe të ndryshueshme dhe duke shtuar në majën e vet një fashë drite që të kujton Flakën Olimpike.
Fari i Lëkurësit
8 vite pas promovimit të farit dekorativ te Pontili i Sarandës, u shtua edhe një i dytë. Prej 2010 Lëkurësi, përveçse një pikë pelegrinazhi për Kalanë e tij të gurtë, që përcjell traditë dhe histori, është edhe një pikë orientimi për të gjithë trafikun detar në Kanalin e Korfuzit dhe në Gjirin e Sarandës.
Në një nga kodrat e Lëkurësit specialistë të shërbimit hidrologjik shqiptar dhe atij italian mundësuan ngritjen e një Fari modern. Thonë se është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dhe i rrallë në Ballkan.
Na shpjeguan atëherë se ngritja e këtij fari doli e nevojshme, pasi u pa që një i tillë, që gjendej në kodrat e Berdeneshit, doli jashtë funksionit, për shkak të ndërtimeve të larta, që zunë dhe prishën rrezen e tij.
Fari i Lëkurësit ka efekte orientuese në rrezen 25 milje detare dhe funksionon edhe në mënyrë të pavarur nga burimet e ushqyerjes me energji elektrike. Është me optikë të rrotullueshme, që u shërben edhe fluturimeve ajrore e shërbimeve të tjera. Edhe në pikëpamje ndërtimore, ai i përshtatet mjedisit, pasi kulla e farit është e gjitha e veshur me rrasa guri karakteristik për ndërtimet në Lëkurës. Kalaja, Fari dhe peizazhi natyror që shpaloset nga maja dhe kodrat e Lëkurësit, janë në një trinitet vlerash.
Fari i Lëkurësit përfaqëson një investim simbol të bashkëpunimit mes palës shqiptare e asaj italiane.
Projekti i Farit të Lëkurësit u realizua si bashkëpunim me zyrën teknike të La Specia, e vetmja zyrë teknike për faret në Itali. Fillimisht strukturimi është bërë në oficinë në la Specia e pastaj në terren, në Lëkurës.
Fari është i përbërë nga një mbulesë e tejdukshme dhe brenda tij është vendosur një optikë rrotulluese e një tjetër fikse.
Parametrat teknikë e bëjnë këtë Far të vetmin në vendin tonë dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit, që orienton me teknika bashkëkohore dhe ngre sigurinë e lundrimit detar në hapësirën detare përballë Sarandës e më gjerë.
Shkruar nga Thoma Nika – /sarandacity.al/