Pyetjen që babai i Hajredinit ia drejtoi Mihal Gramenos tek “Liria e Vdekje” nëse do të bëhej Shqipëria, sigurisht që vijojmë ta bëjmë ende edhe ne sot e gjithë ditën, shoqëruar me dilemën e madhe se përse nuk po bëhet dot?
Dhe vërtet, ç`është ky ngërç ku ndodhet pothuajse e gjithë shqiptaria – përfshirë pra dhe Kosovën së bashku me realitetin politik e social të shqiptarëve të Maqedonisë?!
Ekziston një linjë mendimi dhe bindjeje se e gjithë kjo, ka si arsye marrjen e fateve të vendit nga një skotë individësh pa din e pa iman, e padenjë madje për t`u quajtur dhe elitë (dhe në u quajt elitë, jo e mirë), që rrënjët idelogjike të mendim-veprimit i ka nën komunizëm.
Me gjuhë sociale, quhen dhe ndryshe “gjysëmopingë”, që për realitetin e Shqipërisë, konsiderohen dhe si të zbritur një mot prej mali për të marrë në dorë fatet e kasabasë.
Po ç`ne opinga apo opingarët në këtë mes?
Fjala “opingë” ka një konotacion tejmaterial në fjalorin popullor. Ajo bart një forcë të madhe metaforike, tejet e denjë për çastin dhe kontekstin kur përdoret, si kundërshtuese e flaktë e diçkaje, mohuese, zhvlerësuese, si në rastin e këtij dialogu tek “Kapedani”:
“Ne duhemi që kur ishim në shkollën bujqësore dhe kjo punë ka marrë fund. Por thashë ta bënim me të mirë”.
“Opiiingën!” – klithi xha Sulua, duke mos e pranuar mesazhin sfidues të të birit që i shpallte me anë të një letrë dashurinë për kryetarkën.
Por në rastin e fatalitetit tonë kombëtar, “opinga” fiton një tjetër përmasë: atë të një kleçke të zarartë që nuk po i japim dot karar, sepse, ja se ç`përgjigje merr pra babai i Hajredinit nga Mihali, teksa e pyet nëse do bëhej pra Shqipëria një ditë:
“A do të bëhet Shqipëria more bir si gjithë kombet e tjerë, apo do heqim e do vuajmë gjthmonë kështu?”
“Do të bëhet o xhaxha, nga ju, opingat që jeni shtylla e kombit!”
Dhe ajo çfarë vjen më pas, e jep përgjigjen e kësaj dileme të madhe se si mundet që pikërisht “opingën” ta konsiderosh si shtyllë e kombit?
Babai e drejton Hajredinin tek Çerçizi, me përbetimin ngjethës: “Le të bëhet Shqipëria kapedan, pa jetën time s`e dua!”
Sigurisht që, as atëherë e as sot, askujt nuk i kërkohet të bëjë pakt me vdekjen për hir të atdheut. Por as më shumë e as më pak kërkohet që nga dashuria e madhe për atdheun, mos mbërrihet deri tek vjedhja e tij, që, siç thonë ironikisht kosovarët për “opingarët” në krye të vendit: “Aq shumë e duan vendin, sa e marrin të gjithin dhe e çojnë në shtëpinë e vet!”. /sarandacity.al/