Në rajonin Sarandë – Delvinë numëroheshin 5 hidrocentrale të ashtuquajtur të vegjël. Në Piqeras, Borsh, në Leshnicën e Sipërme, Fterrë e Lukovë, që rezultojnë të braktisur tërësisht pas viteve 1990.
Nevoja e prodhimit të tyre ndjehet edhe më shumë në këto ditë të trokitjes të krizës energjitike.
Juristi Verdi Hadëri, që ka një eksperiencë të admirueshme si specialist i i fushës së ndërtimit të veprave energjitike lokale, thotë se me hidrocentralet e vegjël ka një praktikë të çuditshme. Për ato na shkon mendja vetëm kur energjia është në krizë, ndërsa në kohën kur HEC-et e mëdhenj janë në kapacitet të plotë, askush nuk interesohet për ta.
Dy prej tyre kanë një histori rimëkëmbjeje që mbeti në tentativë, pasi dhënia me konçesion që para 15 vjetësh firmës italiane “Esegie”, nuk solli praktikisht asnjë kilovatorë energji. Nga koncesioni nuk u vunë dot në punë të agregatëve të ndryshkur.
Specialistët thonë se totali i burimeve hidrike të shfyrtëzueshëm jashtë Bistricës, është i barabartë me atë të “Bistrica 1”, që shkon në 21.500 kilovatorë. Sipas përllogaritjeve, fuqia e instaluar prej 250 kilovatorë që kish mesatarisht secili prej tyre, merrte vlerë të konsiderueshme duke iu shtuar prodhimit të pamjaftueshëm të “gjigandëve” të energjitikës sonë. Specialistët thonë se për hidrocentralin e Lukovës ekzistojnë ende kanali, vepra e marrjes e tuneli dhe mbetet vetëm tubacioni e montimi i makinerisë, që ai të mund të sillet në kapacitetin prodhues deri 5 mijë kilovatorë energji, ose aq sa jep tani “Bistrica 2”.
Po kështu, pranohet se hidrocentrali i Borshit është i përdorshëm, në se u bëhet rikonstruksion turbinave të tij. Hidrocentrali i Leshnicës së Sipërme kishte dy turbina me kapacitet 75 kilovatorë secila. Uji që dikur hynte në to, tani shkon fare kot, pasi as tokat nuk ujiten, për shkak të emigracionit masiv që ka prekur këtë këtë zonë.
Një tjetër rezervë mbetet ujëmbledhësi i Janjarit, në afërsi me Konispolin, me kapacitet 16 milionë metërkub ujë, i cili është i kompletuar edhe me një kanal shkarkimi për ujitje, me prurje 7 m3/sec. Edhe për këtë vepër liqeni dhe kanali vlerësohen të gatshëm për t’i shërbyer një vepre energjitike, që ekspertët mendojnë se shton një tjetër “Bistrica 2”. Kjo bënte të mundur heqjen nga “shpatullat” e shtetit në këtë prag krize të zonës së Konsipolit, bashkë me një varg fshatrash përreth tij.
Edhe në njësinë e menazhimit të energjisë elektrike me qendër në Sarandë thonë për riciklimin e hidrocentraleve ekzistues dhe shfrytëzimin tërësor të burimeve lokale hidrike, zgjidhja është priviatizimi i tyre ose dhënia e firmave të ndryshme, shqiptare ose të huaja me koncesion. Kështu nuk do të vazhdohet të qëndrohet në pritje që çdo kilovator të jepet medoemos nga rrjeti unik i energjisë dhe nga hidrocentralet e mëdhenj, përderisa edhe të vegjëlit bëjnë punë, po të vihen në punë.
Në totalin e përgjithshëm ky prodhim nuk do të ishte një vlerë e konsiderueshme, por një tregues se si zonat që i kanë do të ishin një oaz i ndriçuar dhe një kujtesë, që të gjithë ata që merren me energjinë të mos i braktisin.
Shkruar nga Thoma Nika – /sarandacity.al/